Koronavirusi, mbyllet për publikun gjykimi ndaj ish-ministrit Rikalo
Është mbyllur për publikun gjykimi ndaj ish-ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve tjerë, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në sallën e gjykimit, me vendim të gjykatësit Arben Hoti, janë lejuar vetëm kemarat.
“Nuk lejohet prezenca e publikut bazuar në vendimin e Qeverisë të datës 11 mars 2020, për shkak të mbrojtjes nga koronavirus Covid-19”, ka thënë gjykatësi Hoti, për “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit, seanca me praninë e publikut është aktivitet publik, andaj dhe ka vendosur që e njëjta të mbahet pa praninë e publikut, duke lejuar vetëm kamerat, me çka ka konsideruar se respektohet parimi i publicitet.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 11 mars, ndër të tjera ka marrë vendim që të gjitha aktivitetet publike dhe jopublike të zhvillohen të mbyllura, pa praninë e publikut si: ngjarje sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 30 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë në kundër ish-ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.























