Reka kërkon nga Parlamenti Europian përkrahjen për agjendën europiane
Ministri i Integrimit Europian Blerim Reka ka pritur sot nënkryetarin e Parlamentit Europian Rainer Wieland i cili ishte i shoqëruar nga delegacioni i tij gjerman.
Reka falënderoi nënkryetarin e Parlamentit Europian për mbështetjen e gjertanishme të Kosovës në procesin e saj integrues.
Njëkohësisht, ai e njoftoi Wieland për proceset aktuale dhe ecurinë me agjendën europiane të Kosovës, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të punëve me përfaqësuesit e Parlamentit Europian.
Reka nëpërmjet Wieland kërkoi nga Parlamenti Europian që të vazhdojë përkrahjen për Kosovën posaçërisht në tri prioritetet kyçe që ka: liberalizimi i vizave, implementimi i MSA-së dhe përgatitja për programimin me fondet e IPA III.
Ai përfundoi duke thënë se beson që Parlamenti Europian dhe deputetët e tij do të vazhdojnë të jenë zë i fuqishëm në mbështetje të perspektivës europiane të Kosovës.
Wieland shprehu entuziazmin për formimin e qeverisë së re, për dinamizimin dhe funksionalizimin e institucioneve në funksion të qeverisjes së mirë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në vend.























