Analistët nuk shohin jetëgjatësi të koalicionit qeverisës
Rrezarta Zekaj , Radio Kosova
Njohësit e çështjeve politike nuk shohin jetëgjatësi të koalicionit qeverisës në rast se nuk do të ketë ujdi mes tyre për çështjen e taksës.
E tërë kjo situatë është pasojë e presionit amerikan për heqjen e taksës dhe qëndrimeve të kundërta të kryeministrit Kurti dhe partnerit qeverisës, LDK-së, për taksën. Analistët thonë se funksionimi i qeverisë është i varur me ndonjë kompromis rreth taksës.
Edhe pse gjatë bisedimeve për arritje të koalicionit qeverisës mes Vetëvendosjes dhe LDK-së është thënë se ka pajtueshmëri për trajtimin e taksës ndaj Serbisë, tani dy partitë qeverisëse kanë dallime. Një situatë e tillë e cila ka edhe presionin amerikan me paralajmërimet për largimin e trupave ushtarake dhe suspendimin e planeve zhvillimore, mund të ndikojë në rrëzimin e qeverisë. Analisti Artan Muhaxheri i tha Radio Kosovës se vendi nuk duhet të ketë izolim, por qeveria Kurti duhet të ofrojë alternativë që mund të jetë e pranueshme edhe për SHBA-në.
“Tani jemi në një bllokadë sepse qëndrimet janë të sforcuara dhe janë konfliktuoze. Ajo që duhet të bëjë kryeministri Kurti, duhet të jetë proaktiv, duhet të këtë ofertë për daljen nga kjo bllokadë, duhet të jap opsionet e tij, të cilat duhet të jenë të pranueshme edhe për SHBA-në dhe që mund të kërkojë përfitime konkrete nëse taksa hiqet pa reciprocitet. Po në asnjë mënyrë të mos ketë izolim”, ka thënë Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Përderisa nuk ka ndryshim të kësaj situate, Muhaxhiri thotë se është e mundshme rënia e qeverisë.
“Nuk ka logjikë që ky koalicion të vazhdojë me ketë pengesë të jashtëzakonshme që e ka para vetes, pa një koordinim brenda LDK-së dhe VV-së dhe unifikim të qëndrimeve sa i përket taskës dhe raportit me Amerikën, Qeveria e Kosovës nuk ka gjasa të vazhdojë. Me gjithë këtë presion, kryeministri Kurti duhet të bëjë një kompromis nëse dëshiron ta vazhdojë qeverisjen e tij”, tha ai.
Ndërsa njohësi i çështje politike, Faton Abdullahu i tha Radio Kosovës se LDK-ja duhet ta kushtëzojë qëndrimin e saj në qeveri për një afat të caktuar.
“Sikur të ishte serioze, e drejtëpërdrejtë çasja e LDK-së për ta ndihmuar agjendën euroatlantike të administratës Trump, ajo çfarë do të duhej të bënte LDK sot është që ta afatizojë qëndimin e saj në qeveri me heqjen e taksës. Pra, t’i japë afat kohor, nëse brenda kësaj periudhe nuk hiqet taksa nga qeveria në të cilën është LDK, LDK-ja do të dal nga qeveria. Këtë LDK-ja nuk po e bënë pavarësisht se po vazhdon të thotë se ne preferojmë më shumë miqësinë me amerikanët sesa mbetjen në qeveri. Po ky është dykuptimësi i cili konsiderojë unë, po i zgjatë jetën kësaj qeverie të përçarë dhe duke e bërë këtë, po e forcon refuzimin të cilin qeveria Kurti po ia bën SHBA-së”, tha ai.
Në anën tjetër edhe opozita është e ndarë rreth taksës. AAK-ja është këmbëngulësue se ajo nuk duhet të hiqet, përderisa PDK-ja kërkon hjekjen e saj.























