UP përgatitet për fillimin e mësimit virtual
BKT
Lajme

UP përgatitet për fillimin e mësimit virtual

Albana Karaj

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka vendosur që të përgatitet për fillimin e mësimit virtual, për shkak të ndërprerjes së mësimit. Ndërkohë Ministria e Arsimit pritet të dal me një plan konkret javën e ardhshme, në mënyrë që të krijohen mundësi për vazhdimin e mësimit parauniversitar në forma të tjera.

Universiteti i Prishtinës, është duke bërë përgatitjet për fillimin e mësimit virtual. Kjo pasi është ndërprerë mësimi në të gjitha nivelet, për t’u mbrojtur nga rreziku i infektimit me virusin korona. Prorektori i këtij Universiteti, Faton Berisha, tha për Radio Kosovën se departamenti i Teknologjisë Informative në Universitetin e Prishtinës është duke u marrë me këtë punë, në mënyrë që mësimi virtual mund të fillojë nga java e ardhshme.

“IT ka marrë detyrën që në radhë të parë të hulumtojë mundësitë, pastaj të krijojë grupet e studentëve për lëndë të ndryshme. Profesorët, sipas orarit të rregullt do të takohen me studentë virtuaslisht, për të mbajtur mësimin aq sa ka mundësi...”

Ndërkohë, Ministria e Arsimit është duke shqyrtuar mundësinë për vazhdimin e mësimit në forma të tjera. Ministrja e Arsimiti Hykemete Bajrami ka deklaruar se javën e ardhshme pritet që të hartohet plani i veprimit.

“Kemi shikuar se çfarë kemi në dispozicion. Janë disa grupe punuese në nivel të ekspertëve, që po punojnë në Ministrinë e Arsimit. Në ditët në vijim do t’ju njoftojmë se cilat janë masat që do të ndërmerren.”

Gjithashtu, Universiteti i Prishtinës, ka vendosur që të gjitha aktivitetet e zgjedhjeve në UP të zhvendosen për aq ditë sa do të zgjasë pezullimi i mësimit. Ky vendim do të zbatohet për zgjedhjet për këshilla të studentëve dhe Parlament të Studentëve, për zgjedhjet e personelit akademik dhe joakademik.

 

 


MË SHUME NGA Lajme