“Dashuria në kohë të kolerës” dhe Coronavirusi

“Dashuria në kohë të kolerës” dhe Coronavirusi

Përderisa pandemia tanimë e përhapur globalisht, padyshim që sjell panik dhe konfuzion (më tepër vëmendje te konsumi ditor si vaj, miell e bukë) sesa vetëdijesim dhe parandalim!

Nejse… sot më tepër se kurrë kemi nevoje ta ushqejmë (jo barkun) por mendjen me filozofi letrare, me histori inspiruese jetësore, në kohë të errëta… Me penën magjike të Gabriel Marques, i cili shkroi “Dashuria në kohë të kolerës”, një vepër e jashtëzakonshme.

Vepra brilante gërsheton ndjenjat, dëshirat, si dhe vetë fatin e jetës se tre personave. Ngjarja zhvillohet midis zonjës Fermina, Dr. Juvenal & Florentinos në kohë të pazakonta nga përhapja e kolerës, midis panikut dhe ankthit (disi e ngjashme me realitetin aktual). Vjen dashuria mbi gjenezën e saj filozofike “amor fati”, ku ndërthuren pikat kyç të marrëdhënieve njerëzore.

Vepra merr kah tjetër atëherë kur…
Fermina bën zgjedhjen me mendje, me tepër sesa me zemër, kur vendos ta kalojë jetën me Dr. Juvenalin, ndërsa Florentino ishte dashuria e saj e parë, që me pasion e donte atë.
Ky edhe ia shpreh simpatinë dhe përkushtimin e tij në kohën kur Fermina kishte nevojë për mbështetje emocionale dhe mirëkuptim njerëzor më së shumti… E asaj nuk i mungoi asnjë gjë, përveç dashurisë se sinqertë, gjatë kohës sa ishte në lidhje me Dr Juvenalin.

Ndërsa narracioni i tregimit në kapitullin e fundit vazhdon me humbjen e jetës së Dr. Juvenal. Me ketë rast Florentino, konsistent me veprime që vijnë nga dashuria dhe të ngulitura thellë në shpirt dhe subkoshiencën e tij, edhe pas 50 vitesh ëndërron ta realizojë ribashkimin me Ferminën.

Pas humbjes se bashkëshortit, dhe gjatë kohës së panikut dhe dëshpërimit, përgjatë epidemisë se kolerës, Fermina ngadalë fillon të rindërtojë lidhjen e saj me Florentinon. Ndërsa përfundimi është mjaft dramatik, pasi autori vendos një skenë romantike në një varkë gjatë lundrimit ndërsa Fermina dhe Flornetino ishin së bashku me pasagjerët në lundrim e sipër.

Kur kapiteni sinjalizon me ngritjen e flamurit të verdhë, shpërthimin e kolerës në vetë bordin e varkës; ata të bashkuar përfundojnë në lundrimin epik jetësor në kohezion me thënien e famshme “derisa vdekja të na ndajë përgjithmonë”.

“Dashuria në kohë të kolerës”, një vepër mjaft mbresëlënëse, na tregon se ndjenjat, perceptimi dhe dëshirat janë një trekëndësh pothuajse i natyrshëm i civilizimit njerëzor, ndaj edhe reagimet kur hasim në diçka jashtë mundësive tona dhe kontrollit, dorëzimi ndaj frikës dhe panikut si në rastin e Fermines, nuk është asgjë me tepër sesa një perceptim nga vetë faktorët e jashtëm si efekt i mendjes sonë.

Në fund fare, a do t’i nënshtrohemi virusit që ka shpërthyer këto ditë gjithandej në botë, së bashku me frikën, panikun dhe dyshimet personale, duke lejuar që të mbretërojë kaosi, brenda nesh. Apo do te veprojmë si Florentino në udhëtimin e tij të palodhshëm drejt ribashkimit me Ferminën edhe pas shumë disfatave personale dhe humbjeve emocionale, duke iu qëndruar stoik mendimeve pozitive, duke aplikuar filozofinë: “Gjithçka që ka një fillim… ka edhe një fund”.