Të infektuarit me koronavirus janë në gjendje stabile
Gjatë ditës së hënë, në Kosovë janë regjistruar edhe katër raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 13 numrin e personave të infektuar.
Infektologu Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja shëndetësore të prekurve është stabile. Sipas tij, vetëm një person i prekur me koronavirusin e ri, i moshës 77-vjeçare, kohë pas kohe ka nevojë për oksigjen, raporton REL.
“Edhe përkundër asaj se një i prekur me COVID-19 ka nevojë për oksigjen, gjendja shëndetësore është aktualisht stabile. Edhe dymbëdhjetë të tjerë të prekur me koronavirusin e ri, janë në gjendje të mirë shëndetësore, duke u trajtuar në Klinikën Infektive”, tha Krasniqi.
Pas përhapjes së koronavirusit të ri, më 13 mars, Qeveria e Kosovës vendosi në izolim Komunë e Vitisë dhe Klinës. Ndërkaq, më 15 mars, në karantinë u fut edhe Komuna e Malishevës.























