Nxënesi i infektuar me COVID-19 kishte vijuar mësimin në Gjimnaz të Vitisë
Vitia është njëra nga komunat e Kosovës që është prekur nga ky virus.
Në RTV Dukagjini është debatuar për luftën që po e bën Kosova me coronavirusin.
Një qytetar që dëshiroi të mbetet anonim në një lidhje direkte telefonike në emision ka shprehur shqetësimin se njëri nga të prekurit me virus e që tashmë është i konfirmuar nga institucionet shëndetësore është nxënës i gjimnazit në Viti.
Ai thotë se ka shqetësim se i prekuri ka pasur kontakte me nxënësit e tjerë e që në atë klasë janë përafërsisht 30 sosh.
Mirëpo infektologu Valbon Krasniqi, i pranishëm në studio, ka dashur të qetësojë situatën pasi sipas tij të rinjtë e kalojnë shumë lehtë simptomën.
Krasniqi thotë se për rastin në fjalë gjasat që i prekuri të ketë infektuar nxënësit tjerë janë të pakta pasi kronologjia tregon se koha mund të ketë qenë shumë e shkurtër për ta përcjellë infeksionin te nxënësit e tjerë.
“Për një apo dy ditë pasi merret infeksioni është shumë e vështirë që virusi të përcillet te nxënësit e tjerë pasi që i nevojitet një kohë për t’u shumuar e që të jetë burim infeksioni për të tjerët”, tha ndër të tjera Valbon Krasniqi.























