Vitia informon ambasadoren Butel rreth masave kundër koronavirusit
BKT
Lajme

Vitia informon ambasadoren Butel rreth masave kundër koronavirusit

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia gjatë një takimi sot ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, ka folur rreth masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për të mbrojtur shëndetin e popullatës nga koronavirusi Covid – 19.

“Ky është një problem sfidues edhe për shtetet më të zhvilluara. Konsideroj se si shtet i ri kemi ndërmarrë veprimet e duhura përmes masave emergjente. Nga 16 personat e prekur me koronavirus, shumica prej tyre janë familjarë të rasteve të shfaqura në fillim dhe kjo është zbuluar falë praktikës së gjurmimit të kontakteve të tyre”, tha Vitia.

Ai e ka informuar ambasadoren franceze se një sfidë në vete kanë qenë edhe rezervat të cilat janë gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë, situatë kjo që ka imponuar një intervenim urgjent për të kërkuar asistencë edhe nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, për një përgjigje sa më adekuate ndaj situatës rreth Covid-19.

Ministri Vitia gjithashtu, e njoftoi ambasadoren Marie-Christine Butel se janë zhvilluar edhe takime me përfaqësues të spitaleve private, shoqatave dhe organizatave të komunitetit mjekësor dhe farmaceutik për të qenë të koordinuar lidhur me situatën me koronavirusin.

Nga ana e saj, ambasadorja franceze e falënderoi ministrin Vitia për të gjitha këto informata që, sipas saj, kanë ndikuar që Kosova të jetë më e mbrojtur nga virusi i Covid -19. 


MË SHUME NGA Lajme