Derisa po ndryshon sjellja jonë

Derisa po ndryshon sjellja jonë

Ballsor Hoxha

Në situatën globale të pandemisë, është duke ndodhur një fenomen i ngjashëm saktësisht me kohërat e shoqërive parahistorike – kafshët e pyjeve janë duke vërshuar qytetet dhe hapësirat e urbanizuara (p.sh. në Blegjikë). Është thënë se ato janë humbur në kërkim të ushqimit dhe kanë hyrë në qytetet e njeriut për shkak të qetësisë në to.

Thuhet se bota do të ndryshoj pas Corona virusit (COVUD 19). Por në të vërtetë ajo tanimë po ndryshon, së paku sipas këtyre shembujve. Është perceptim ndryshe i jetës, botës dhe sjellje ndryshe. Sjellje që do të vazhdoj për kohë të paparashikueshme sipas të gjitha burimeve të informatave.

Në të vërtetë parashikimet thonë se ky virus do të prekë prej 30 e deri në 70 përçin të njerëzimit.

Individi dhe me këtë edhe shoqëritë gjetur në situatë të pazakonshme interpretojnë atë, si mekanizëm mbrojtës, si përballje dhe si përpjekje për të dalë jashtë këtyre situatave.

Në të vërtetë, lidhur me këtë situatë të pandemisë së virusit të njohur në mjekësi si COVID 19, janë dy interpretime të kësaj situate. Njëra e cila anon kah racionalizimi i fenomenit dhe me këtë edhe informimit të drejtpërdrejtë. Dhe tjetra e cila ushqehet dhe ushqen edhe dhembjen dhe pakënaqësinë e rendit global dhe globalizimit, thënë  më saktë ndarjes së padrejtë të mirëqenies. Pra kjo e dyta njohur si teori e konspiracionit (komplotit).

Në njërën anë, informatat e burimeve të gjendjes aktuale japin të ditur se virusi që ka arritur në pandemi, është familje e viruseve Corona, të cilat kanë qarkulluar në njerëzim për një kohë të gjatë. Dhe se ato kanë qenë të ditura për biologët, mjekët dhe institucionet e shëndetit. Dhe se një prej mundësive të përballimit të kësaj gjendjeje është kalimi i virusit edhe i pa vaksinë. Se ai mund të zbutet dhe të mbetet në qarkullim si lloj i gripit, por pa përhapje dhe pa rrezik të lartë.

Në anën tjetër, po e njëjta informatë, pra në anën komplotiste të të menduarit, interpreton këtë si manipulim dhe armë për luftë të të fuqishmëve dhe të të pasurve. Luftë dhe pushtet i tyre ndaj shtimit në masë të madhe të masave të varura shoqërore. Sepse ato absorbojnë kapital dhe janë në nevojë për ndihmë.

Psikologjia bazike mëson se frika mundet të jetë dhe është, ose reale ose jo-reale; ajo ose është e bazuar në realitet ose është imagjinatë.

Por ka një dobësi në këtë ndarje, sepse pikërisht frika jo-reale ushqehet nga dhembja, gjë që kalon në ankth. Pastaj kjo edhe përmbushet në vetë ankthin e saj. Në të vërtetë ekziston edhe shprehja ekzakte në këtë – profeci (parashikim) që vetë-përmbushet. Tërë ajo që kemi frikë dhe tërë ajo që nuk mund ta bartim si njerëz kalon, shndërrohet dhe jetësohet në të vërtetë, e cila nuk ka realitet. Apo që e ka shndërruar realitetin.

Shembulli i parë i kësaj sjelljeje, të frikës komplotiste (konspirative) është i lidhur pikërisht me vendin ku është ankthi më i madh dhe më real, pra në Itali. Me këtë është përhapur “e vërteta” se shteti italian i dobësuar, ka krijuar përhapjen e virusit COVID 19, për të minimalizuar numrin e pensionistëve në këtë shtet, me qenë se virusi në fjalë është më i rrezikshëm për pleqtë.

Shembulli i dytë i konspiracionit është se kompanitë më të mëdha globale logjistike dhe furnizuese, në të tërë kapitalin e tyre gjigant, kanë qenë në rrugë për bankrotim. Dhe në këtë ato kanë shpikur këtë virus për të përqendruar kapitalin dhe fuqinë, dhe po ashtu edhe pushtetin e tyre.

Komploti i thurur, apo thënë më saktë i – vetë-përmbushur – këtu është në të vërtetë i bazuar në realitet. Nën një, në realitetin e padrejtësisë së ndarjes së mirëqenies njerëzore. Dhe nën dy, në krizën globale dhe dramën globale jo vetëm të globalizimit por edhe të ekstremizimit të shoqërive – shembull këtu është kriza e shtetit të Greqisë para disa viteve. Kur Greqia, i tërë shteti kishte bankrotuar dhe ishte dezintegruar, në perspektivën monetare. Në të vërtetë, në ankth, në paranojë, në frikë jo-reale, çdo gjë, çdo fjalë ushqen profecinë (parathënien) e dhembjes. 

Sigurisht në këto teori konspiracioni luan rol të rëndësishëm dhe është e ndërthurur edhe politika, por shumë më shumë ëlshtë dhembja e padrejtësisë së ndarjes së mirëqenies së  njerëzimit. Aq më shumë që njerëzimi i përballur me frikë kolektive, si mekanizëm mbrojtës i kthehet solidaritetit dhe vëllazërimit gjë që krijon një perspektivë krejtësisht të dhembshme ndaj po të njëjtës padrejtësi. Thënë më shkurtë në gjendje ekzistenciale njeriu sheh ndryshe. Padrejtësia është më e dhembshme.

Por ajo që është më e rëndësishmja këtu, është sjellja e shoqërisë njerëzore nëpër këtë pandemi dhe tragjedi. Ajo po ndryshon, dhe ajo, do të merr kah të kushtëzuar tërësisht nga frika dhe pasiguria përballë kapitalit, fuqisë së padrejtë dhe pushtetit global. Në të vërtetë sjellja jonë, përballë mundësisë dhe lehtësisë së projektimit të fajit tek tjetri, apo tek theksi i padrejtësisë (si shteti, pushteti, kapitali etj) është problemi më i madh se COVID 19. Kjo lehtësi e zhvendos dhe e përqendron fajin.

Në të vërtetë jemi në kohëra identike me historinë, letërsinë dhe aq më shumë me filmat që pasqyrojnë tragjedi globale dhe të njerëzimit. Fatmirësisht jo në tragjedi si kolera në histori etj. Thënë më saktë jemi në situatë identike me atë që në literaturë njihet si – kohë biblike. Duhet të mbajmë përgjegjësinë për atë që projektojmë, për atë që fajësojmë, sepse po hapërojmë së bashku, të pasur e të varfër, të sëmurë e të izoluar prapa maskave, pleq e shoqëri tragjike si kjo e Kosovës.