Nisma mbështet presidentin Thaçi për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme
Nisma Socialdemokrate do të mbështesë kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend si pasojë e virusit COVID-19.
Kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj, tha se këtë dekret e shohin si masë në funksion të parandalimit të zgjerimit të virusit dhe masë në funksion të mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës.
Limaj tha se beteja kryesore për ta mundur këtë virus janë masat preventive, për cka tha se për jetën e njeriut vlen çdo masë.
“Nisma Socialdemokrate është e gatshme që të mbështetë propozim-dekretin e presidentit për masa të jashtëzakonshme. Ne këtë dekret ose këto masa i shohim në funksion të preventimit të zgjerimit të virusit, ne këto masa i shohim në funksion t ë mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës, ne këtë masa e shohim në mundësinë e aktivizimit të gjitha resurseve tona të sigurisë, po ashtu resurseve ekonomike. Nuk është vetëm segmenti i sigurisë që mundësohet përmes masave të jashtëzakonshme për të ndihmuar në preventimin e virusit, unë besoj se shumë më rëndësi është edhe segmenti tjetër, segmenti ekonomik”, tha ai.
Kreu i Nismës tha se në emër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit janë të gatshëm të mbështesin Qeverinë e Kosovës, institucionet lokale dhe qendrore në funksion të tejkalimit të kësaj situate.
Ai i ka bërë apel institucioneve të shëndetësisë dhe atyre sociale, që të kenë kujdes për njerëzit e moshuar, e sidomos për ata që jetojnë të vetëm. Limaj, tha se ai, partia, dhe të rinjtë e kësaj partie nëse nuk kanë mundësi institucionet qendrore do të angazhohen për t’i vizituar.
Po ashtu, Limaj i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të kërkoi ndihma teknike nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet mike, për mjete mbrojtëse për t’u përballur me këtë virus.
I pari i Nismës ka komentuar edhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Agim Veliu, ku tha se në gjendjen në të cilën gjendet vendi nuk është koha për të bërë politikë.
Ai i ka bërë apel të gjitha partive politike se tash nuk është koha për përplasje politike, por i gjithë fokusi të kthehet tek parandalim i përhapjes së virusit COVID-19.
Limaj, tha se partia që ai e udhëheq nuk bëhet pjesë e përplasjeve mes kryeministrit dhe presidentit, pasi sipas tij, këto janë të dëmshme për vendin.
“Ne tani dëgjuam për shkarkimin e ministrit të rendit, ajo çka ne kemi parë dje, minis tri i rendit ka mbështetur qëndrimin e kryetarit të partisë së tij. Siç e dini z.Mustafa të paktën nga ajo që kemi parë dje në raportimet e juaja ka dalë në mbështetje të gjendjes së jashtëzakonshme, dikur ministri e ka mbështetur qëndrimin e kryetarit. Por, në fund të fundit këto janë marrëdhënie të brendshme të koalicionit dhe unë nuk kam koment rreth kësaj teme. Apeli im është që është koha jo për protagonizëm, është koha të gjithë bashkë të mobilizohemi aty ku mundemi që ta kalojmë krizën, koha për beteja politike vjen pas tejkalimit të kësaj krize”, tha ai.
Rreth pozicionit të Nismës pas zhvillimeve të fundit politike në vend, Limaj tha se nuk është koha për të komentuar tash, derisa ka potencuar se fokusi duhet të kthehet në virusin me të cilin po përballet vendi.























