Sa i efektshëm mund të jetë mësimi online në Kosovë?
Ministria e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit (MASHT) ka marrë iniciativë që pas përhapjes së koronavirusit në Kosovë të fillojë menjëherë aplikimin e mësimit online, pra në distancë.
Derisa Universiteti i Prishtinës dhe universitetet tjera publike në Kosovë kanë filluar të aplikojnë mësimin online, institucionet e tjera arsimore ende nuk kanë filluar
Është raportuar se aplikimin e mësimit në distancë (online), do të fillojnë të gjitha institucionet shkollore që nga data 23 mars, pra nga dita e hënë, fillimi i javës së ardhshme.
Poashtu, MASHTi ka komunikuar me ofruesit e shërbimeve të internetit në mënyrë që edhe familjeve me fëmijë që nuk kanë qasje në internet t’iu ofrohet shërbimi online papagesë.
Por, sa mund të jetë i efektshëm mësimi online?
Lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin e arsimit, Rinor Qehaja i cili është shprehur se Kosova ka infrastrukturë të mjaftueshme teknologjike për mësim online, por jo domosdoshmërisht edhe resurse të përgatitura metodologjikisht për zbatimin.
“Mësimi online paraqet një zgjedhje që institucionet tona duhet të kenë parasysh. Nëse zhvillohet dhe zbatohet në mënyre të centralizuar – sikurse besoj që edhe është qëllim i MASHTI – atëherë mund të kemi një risi për tu mirëpritur në këtë situatë. Besoj që Kosova ka infrastrukturë të mjaftueshme teknologjike për mësim online, por jo domosdoshmërisht resurse të përgatitura metodologjikisht për zbatim të saj.”, tha Qehaja për lajmi.net.
Më tutje, Qehaja është shprehur se konteksti socio-ekonomik i Kosovës ka rëndësi dhe jo të gjithë do të kenë qasje. Andaj, ka bërë thirrje që mësimi online të tërheq vëmendjen në atraktivitet dhe jo obligueshmëri.
“Është me rëndësi të kuptohet konteksti socio ekonomik i familjeve tona po ashtu, dhe pamundësinë që të gjithë të kenë casje ose kanë casje të limituar online. Andaj, duke shpresuar që kjo situatë emergjente të tejkalohet sa më parë, uroj shumë që mësimi online të tërheq vëmendjen me atraktivitet në mësimdhënie e jo në obligueshmëri.”, tha Qehaja për lajmi.net.
Sa i përket shkollave private, MASHT-i ka sqaruar se këto shkolla kanë të drejtë të ofrojnë shërbime edukative të digjitalizuara në mënyrë vetanake, gjithnjë duke pasë parasysh se mësimi zhvillohet në përputhje me planprogramin mësimor të aprovuar nga MASHT-i.























