Yjet nuk e duan në bankinë, Leonardo kërkon pasuesin e Tuchel
Me titullin kampion në Ligue 1 thuajse në xhep dhe i kualifikuar në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por kjo nuk mjafton aspak që Thomas Tuchel të ketë të sigurt qëndrimin për një tjetër sezon te skuadra e Paris Saint Germain.
Kjo pasi sipas mediave pranë klubit parizien, tekniku gjerman nuk ka arritur të ndërtojë një marrëdhënie të mirë me yjet e ekipit dhe është përplasur vazhdimisht në kohë me emra si Neymar, Mbappe, Cavani e së fundi Icardi, duke bërë që shumë prej tyre të kërkojnë largimin.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesi i klubit francez, braziliani Leonardo ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e ish trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri, i cili është pa punë që prej verës së kaluar, kur u largua nga bardhezinjtë.
Vetë tekniku italian preferon një aventurë në Premier League dhe prej disa muajsh po studion gjuhën angleze, por milionat e Paris Saint Germain mund ta joshin për të ndryshuar drejtim dhe për t’u bashkuar me kampionët francezë.























