Ish-aktivisti i drejtohet Albin Kurtit: Kush e gjuajti Bajrakun?

Ish-aktivisti i drejtohet Albin Kurtit: Kush e gjuajti Bajrakun?

Bajrakun në të cilin u thirre e u mbështjelle me të, e gjuajte, e gjuajte sapo ia ndjeve erën karriges së Kryeministrit, jo që e gjuajte por edhe e shkele. Shkele mbi të sikur mbi tepih te kuq që të dërgonte te karriga e kryeministrit.

Me të arritur në destinacionin që e synoje, Vetevendosja për ty më nuk ishte një kauzë por thjesht një emër partie. Vetevendosja në të cilën u thirr, në kokën e tij nuk e kishte domethënien që e proklamonte.

Kohën kur do të qeveriste Vetevendosja e shihnit si kohën kur do të vendosnit vetë për Kosovën, për mua, për ne, për … Ju për 50 ditë u bëtë aktori i disa roleve viktimizuese, u bëtë sikur ai femiu ngucakeq i lagjes, që i nguce të gjithë fëmijët tjerë dhe shkon te babai edhe ankohet se po e ngucin të tjerët e nuk po e lënë të luaj.

Albin Kurti i fyeve e i poshtërove të gjithë edhe u ktheve kah populli edhe the: mua po me shkarkojnë, po më shkarkojnë se me mu s’mundën të bëjnë pazare në dëm të Kosovës. Na tha se ekziston një marrëveshje e fshehtë që parasheh coptimin e Kosovës e që në fakt doli të mos ketë, marrëveshje.

Të gjithë u bëmë dëshmitarë të skenave teatrale ditën e rrëzimit tënd ku nga foltorja e kuvendit hapje gjoksin si MIC Sokoli dhe thoje: Duan të më thyejnë, pa më thye mua nuk bëhet, unë nuk thyhem, unë, unë, unë, flisje për veten në veten e tretë.

Albin ti je llastik, ti nuk thyhesh, ti lakohesh, tërhiqesh, këputesh e ku të këputesh më nuk ngjitesh! Demagogjisë e megalomanisë tënde do t’i vijë fundi, trushperlarësit do ta kuptojnë një ditë se janë të mashtruar dhe ti je mashtruesi.

 Albin Kurti ke organizu protestë edhe kundër kësaj pavaresie, e që besa edhe unë bashkë me ty edhe shumë tjerë si unë, jemi plagu e jemi vra duke e kundershtu këtë pavarësi që ti kundërshtuesi i saj sot të jesh Kryeministri i saj.

Ne u bëmë delet tua e ti bariu që na gjuaje në gojë te ujkut sa herë që kishe nevojë për t’u viktimizuar, ky je ti Albin. Albin Kurti ku u harrua Astrit Dehari, pse nuk bëtë asnjë lëvizje për ta zbardhur të vërtetën? Albin Kurti, jemi në dijeni se pas largimit të Agim Veliut nga Ministria e punëve të brendshme, zv.Ministri juaj ka mbledhur dosje në këtë Ministri, e ka parë edhe dosjen Deharit?! Do ta zbardhni apo do ta fshehni përfundimisht këtë dosje?

(Autori ka qenë aktivist i Vetëvendosjes, i plagosur në protestën e 10 shkurtit 2007 | Letra e hapur i është dërguar redaksisë së Ekonomia Online)