Gjoshi: Žižek ua nxori "sekretin publik" Vetëvendosjes, s`duan bashkimin
Anëtari i PDK-së, Betim Gjoshi, konsideron se filozofi slloven, Slavoj Žižek, në artikullin e botuar edhe nga disa media kosovare nxori një "sekret publik" për Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, kur Žižek e identifikon Qeverinë e Vetëvendosjes si një gjeneratë e re, e cila nuk është e lidhur për pasionet etnike, mund të kuptohet se si ky subjekt ka mashtruar për bashkimin kombëtar.
Postimi i plotë:
Filozofi slloven, Slavoj Žižek, që në Vetëvendosje e dojnë gati sa Leninin e Rusisë, e njeh mirë këtë parti dhe e paska thënë më në fund një "sekret" publik për ta kur qenka deklaruar për rrëzimin e Qeverisë Kurti me 82 vota.
"Më në fund, merr në dorë (sqarimi im: Qeverinë) një gjeneratë e re, e cila NUK ËSHTË E LIDHUR PËR PASIONET ETNIKE."
Kjo është shumë e vërtetë. Pra, valëvitja e Flamurit Kombëtar dhe propagandimi i Bashkimit Kombëtar - janë mashtrimet që i janë bërë këtij populli përgjatë këtyre viteve.
Më mirë Bashkim Kombëtar se Kosovë të Pavarur – ka qenë ide e rrezikshme që do ta pamundësonte edhe Bashkimin Kombëtar edhe Pavarësinë e Kosovës.
Në fakt, Vetëvendosje është ajo e tekstit që kanë nënshkruar Slavoj Žižek dhe disa të tjerë kur e mbështetën këtë parti në zgjedhjet e fundit. Unë po marrë vetëm dy citate nga ai tekst përmes së cilit ata e arsyetojnë mbështetjen për VV-në.
(1). "Statusi politik dhe juridik i Kosovës është veçanërisht i PAZAKONTË. (2) Ndërkohë që formalisht i pavarur, Kosova mbetet një vend i varur, i shndërruar kështu në një vend mes gjysmë-kolonializmit dhe gjysmë-protektoriatit."
Pra, miq të mi!
Kështu e paraqesin Kosovën nëpër botë majtistët që nuk pajtohen asnjëherë me politikat amerikane. Ata e dijnë fort mire rolin e ShBA-ve në themelimin e Kosovës, por së paku për arsye ideologjike gjithmonë gjejnë diçka për të dyshuar. Mjerisht, Albin Kurti është i vetmi shqiptar drejtues institucioni, pas Enver Hoxhës, që mban qëndrim të tillë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.























