Përsëritja e historisë

Përsëritja e historisë

Ballsor Hoxha

Shoqëritë si e jona, viktima të përjetimeve të kërcënimit rrënjësor mbesin pre e tragjedive të veta. Sa epope ka Kosova sot? Sa ish ushtarë? Sa heronj?

Apo, ndoshta pyetja më e rëndësishme këtu është sa tradhtarë kishte Kosova? Sa spiunë? Sa dezertorë?

Ja një shembull: si është e mundshme që të gjithë figurat në skenën tonë publike janë edhe tradhtarët më të mëdhenj edhe heronjtë më të mëdhenj. Gati secili aktor në skenën publike tonën i ka të dyja këto etiketime, rrënjësisht ekstreme.

Dhe po e njëjta ndodh edhe sot. Gjithnjë dikush është tradhtar, spiun, dezertor. Sa të korruptuar ka sot në Kosovë? Në të vërtetë, sot, së paku gjysma e shoqërisë sonë “është e korruptuar”. Derisa gjysma tjetër është “e pastër”.

Ky është ekstrem i ankthit brenda shoqërisë sonë. Ky është ekstrem i ikjes së shoqërisë sonë nga ata që jemi, ata që ishim. Ikja duke qenë mospranimi se jemi të lëndueshëm, të brishtë dhe të natyrës njerëzore, po sikur armiku, e po sikur edhe secili njeri.

Shoqëritë si e jona, shoqëri që janë gjendur më shumë se një herë në prag të ekzistencës, dhe që kanë përjetuar drama ekzistenciale kanë një problem thellësisht të çoroditur. Në pamundësi të ballafaqimit  të dobësisë së tyre, ndahen në ekstreme të papajtueshme. (Ajo që ka ndodh këto ditë në Kosovë është pikërisht ndarja ekstreme ndërmjet të majtës dhe të djathtës politike në Shqipëri).

Në të vërtetë, shoqëritë si e jona, si edhe ato të Ballkanit, dhe ato të tragjedive të përhershme në glob, kanë një gjë të përbashkët. Shoqëri viktima të dhunës dhe të kërcënimit, e kanë një karakteristikë që shpërfaqet tek secila, dhe secilën herë që ka një dramë në këto shoqëri.

Ajo që ka ndodh në Kosovë këto ditë nuk është gjë e huaj për kosovarët. Nëse e shikojmë me kujdes historinë tonë ne gjithnjë në momentet më dramatike e kemi thelluar krizën tonë. Në momentet kyçe të historisë së shqiptarëve të bashkuar, po ashtu edhe të Shqipërisë e të Kosovës ndaras, shoqëria jonë pikërisht në këto kohëra thellohet në krizë.

Kompleksi i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kompleksi i pas luftës së Shqipërisë, ndarja dhe shfarosja e të djathtëve në Shqipëri. Apo ndarja e shoqërisë në denoncues të demonstratave të 81 në Kosovë dhe në përkrahës të tyre, pikërisht në vorbullën e krizës. Apo dalja në zgjedhje e një pjese të shoqërisë kosovare në kohën kur luftohej në anët tjera të Kosovës. Apo kriza e Kosovës gjatë bisedimeve në Rambuje. Po të njëjtat përçarje, pa pasur nevojë të numërohen këtu, kanë ndodhur dhe po ndodhin edhe në ditët e sotme në të gjitha vatrat e krizave në glob.

Ajo që ndodh është se historia jonë, e këtyre tragjedive, përsëritet. Secilën herë dhe në secilën dramë. Po e njëjta histori.

Kjo është krejtësisht e përkufizuar dhe e qartë. Në atë që njihet si ritual individual dhe kolektiv i viktimës. Rituali zakonisht krijohet dhe vendoset kur shoqëria nuk ballafaqohet me tragjedinë e saj. Në të vërtetë kur shoqëria nuk përballet me vështirësitë e saj. Kriza e pa ballafaquar, kalon në muri të pakalueshëm dhe me këtë edhe kufi i sjelljes dhe njohjes sonë. Sjellja jonë përbrendëson pamundësinë dhe ne mbetemi aktorë të pamundësisë sonë.

Përsëritja e përçarjes, përsëritja e ndarjes në ekstreme e shoqërisë është vetë rituali i viktimës dhe rituali i përbrendësimit të dhunës së përjetuar.

Këto ditë, pikërisht në prag të kërcënimit për ekzistencë, ne, dhe atë jo vetëm në parlament, vazhdojmë përçarjen. Ne ose jemi krejtësisht të pavarur nga realiteti, apo nga pozicioni ku jemi, ose jemi krejtësisht të nënshtruar ndaj të jashtmes.  

Kosova asnjë herë nuk pati fytyrë dhe forcë të përballej me dhunimin e grave shqiptare. Asnjëherë nuk pati guximin dhe fuqinë të përballej me atë që na ka ndodhur – ishim aq të dobët dhe aq të pandihmë që më shumë se gjysma e shoqërisë sonë ikëm jashtë Kosovës, ishim të deportuar dhe të dhunuar. Ajo luftë që është bërë, i ngjanë edhe luftërave të tjera në historinë tonë.

Në të vërtetë, sa më i madh që është glorifikimi i luftës, tragjedisë dhe dhembjes sonë, aq më e madhe është dobësia dhe ikja jonë nga po të njëjtat. Sigurisht, ky smadhim dhe ky glorifikim janë edhe thellësia e dhembjes dhe vuajtjes sonë, por ne nuk i arritëm vetë këto, apo nuk dolën asnjëherë ngadhënjyes siç edhe glorifikojmë.

Ne jemi përpjekur, ne kemi pasur dhembje unike, ne edhe kemi bërë përpjekje unike, por ne nuk jemi ata që duam të jemi në “madhështinë” e luftës sonë. Derisa nuk e pranojmë veten ashtu si jemi, të brishtë dhe të thyeshëm, ne as nuk mund të nisemi tutje.