Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve të rënda të shtetit të Serbisë

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve të rënda të shtetit të Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke kujtuar masakrën e Izbicës, ka thënë se më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Thaçi ka shkruar në Facebook se masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

“Në mesin e të vrarëve kishte edhe persona të rrethit tim familjar. Sot , 21 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare. Kjo është padrejtësia më e madhe për familjet që pësuan në vitet 1998 dhe 1999, ku shteti serb kreu masakra, gjenocid dhe dëbim masiv të shqiptarëve nga Kosova. Liria e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e mijëra martirëve anembanë Kosovës”, ka shkruar ai.