Nurellari: Shkarkimi i Bordit të SHKUK-së - hipokrizi e Qeverisë Kurti
Sharr Travel

Nurellari: Shkarkimi i Bordit të SHKUK-së - hipokrizi e Qeverisë Kurti

Shkruan: Adri Nurellari

Qeveria në largim në mbledhjen e fundit ka shkarkuar  në mënyrë befasishme dhe të turpshme Bordin Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës. Ky shkarkim i bordit më të rëndësishëm të shëndetësisë është një akt i paligjshëm, jolegjitim që demonstron hipokrizinë e qeverisë Kurti. Së pari ky vendim dhe gjithfarë vendime apo masa të tjera të rëndësishme nuk mund të ndërmerren nga një qeveri në ikje e cila është shkarkuar me 82 vota kundër. Pra bëhet fjalë për një shumicë dërrmuese të cilësuar që jo vetëm ministrin por mund të rrëzojnë edhe kryetaren e kuvendit e të ndrojnë kushtetutën. Në kuptim të paragrafit 6 të nenit 100 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; Qeveria është dorëhequr. Kjo nënkupton logjikisht që kjo qeveri luan rol kujdestarie, merret me mbarëvajtjen e institucioneve por nuk ka legjitimitet të marri vendime të mëdha të befasishme. Pikërisht për këtë arsye edhe vetë Levizja Vetëvendosje ka qenë shumë e zëshme në denoncimin e gjithfarë vendimeve të marra nga kryeministri Haradinaj pas dorëheqjes. 

Së dyti ky vendim demonstron edhe dyfytyrësinë e kryeministrit sepse prej fillimit të epidemisë në Kosovë kemi dhjetëra deklarata të Kryeministrit dhe minstrit të Shëndetësisë lidhur me punën shembullore të punonjësve shëndetësor, të cilët punën e kanë kryer në saje të politikave të Bordit të ShSKUK e paraparë nga neni 8 i Statutit të ShSKUK-së.  Qeveria shumë herë ka cituar edhe lëvdatat e dhënë nga Kuptohet që kryeministri në ikje Kurti këto lëvdata i ka bërë edhe sepse ka dashur që të relativizojë e minimizojë ashpërsinë e situatës në të cilën gjendemi për të justifikuar mosvendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. 

Po ashtu hipokrizia manifestohet nga fakti se nga njëra anë Vetëvendosjapo vetë-viktimizohet duke thënë se deputetët gabuan që e rrëzuan qeverinë mu në mes të epidemisë së koronavirusit. Nga ana tjetër tre ditë pas shkarkimit të qeverisë për të cilën ankohet, shkarkoi bordin e  ShSKUK, pra insitucionit që është drejtpërdrejtë në ballë të luftës kundër koronavirusit. Ndër të shkarkuarit e bordit spikat  doktori epidemiolog Naser Ramadani i cili javëve të fundit ka qenë edhe mjeku më i rëndësishëm dhe i lakuar për sa i përket kësaj lufte. 

Së treti ky veprim arrogant i qeverisë në ikje, është edhe i paligjshëm sepse shkel legjislacionin kë fuqi. Punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës vetëm atëherë kur i punësuari ka marrë përshkrimin në formë të shkruar të performancës së pakënaqshme, si dhe një deklaratë paraprake se dështimi për përmirësimin e performancës do të rezultojë me largim nga puna pa asnjë paralajmërim. Ky shkarkim i beftë bën që të shkarkuarit të kenë mundësi ta hedhin në gjykatë këtë vendim arbitrar, ta fitojë gjyqin dhe të dëmshpërblehet nga buxheti i taksapaguesve më të varfër të Evropës. Për më tepër që mes të emëruarve të rinj, spikat Mirsad Shkreta, ish kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, gjë që përbën një përpjekje të politizimit të administratës dhe  të kapjes së shtetit.