Kjo është mosha më e prekur nga Covid-19 në Kosovë
20 deri në 29 vjeçare është mosha më e prekur nga virusi Covid-19 në Kosovë, duke regjistruar 20 të infektuar të kësaj moshe nga gjithsej 90 të prekur deri më tani.
Këtë e ka bërë të ditur Institucioni Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilët përmes disa grafikave kanë përmbledhur gjithë rrjedhën e kësaj epidemie në vendin tonë.
Sipas këtyre të dhënave të publikuara nga IKSHPK, gjinia e cila i prin infektimit nga kjo sëmundje është ajo mashkullore, ku në bazë gjinore thuhet se 53% e të prekurve nga koronavirusi në Kosovë janë meshkuj ndërsa 47% të tjerë janë të gjinisë femrore.
Kujtojmë se më 13 mars të këtij viti janë shënuar dy rastet e para të cilat rezultuan pozitive me këtë virus në vendin tonë, e që më pas, pothuajse çdo ditë janë raportuar nga një deri në 15 raste të reja.
Sa i përket moshës së të prekurve me Covid-19, raportohet për gjashtë raste pozitive të moshës 0-9 vjeç, Nga mosha 10 deri në moshën 19 vjeçare janë 12 persona të prekur. Nga mosha 30-39 vjeçare janë 12 persona me Covid-19. Nga mosha 40-49 vjeçare janë 11 persona ndërsa nga mosha 50-59 janë 12. Nga mosha 60 deri 69 vjeçare janë katër persona dhe nëntë persona janë të prekur me koronavirus mbi moshën 70 vjeçare.
Deri sot, nga 90 të prekur me Covid-19, 31 raste janë në Malishevë, 15 në Gjilan, 12 në Prishtinë, shtatë në Viti, gjashtë në Vushtrri, gjashtë në Gjakovë, katër në Podujevë, një në Klinë, një në Lipjan, një në Prizren, një në Obiliq, një në Suharekë, një në Ferizaj, një në Shtime dhe një në Pejë.























