Derisa numërojmë hapat të izoluar

Derisa numërojmë hapat të izoluar

Shkruan: Ballsor Hoxha

Sot më shumë se kurrë pyetemi si ka qenë e mundur që njerëzimi ka kaluar nëpër pandemi si kolera e tifo. Sot jetojmë përballë brishtësisë së njerëzimit dhe pafuqisë së tij. Gjë që të bën të pyetesh për ekzistencën, për gjërat që kemi bërë dhe për kufijtë e njeriut.

Thellë në ne si njerëz, janë të koduara tragjeditë kolektive si leproza, kolera, murtaja, e pak kohë më parë edhe tuberkulozi. Ne si njerëzim ende sillemi dhe jetojmë në raport me këto histori. Dhe, edhe kjo pandemi e virusit Corona do të shtoj një sjellje të re të njerëzimit. Do të jetojmë tërë jetët tona në raport me këtë pandemi.

Kur mendojmë sot, sa ishte e mundshme para një muaji që njerëzimi të kthehej në - kohë biblike. Në të vërtetë, situata e njerëzimit sot është ajo që njihet me nocionin – kohëra biblike- Dhe ky nocion përfshinë rrethanë/a që krijojnë inicimin, lindjen dhe ndryshimin e njerëzimit. Nënkupton gjithë njerëzimin dhe gjithë historinë e njerëzimit.

Sigurisht, të gjithëve tani, veturat tona kanë filluar të na duken tepër të mëdha. Shtëpitë, banesat tepër të gjera. I njehim supat në shpajz. Ngadalë fillojmë të shohim çmenduritë e jetës sonë të “shthurur”. Megjithëse ende nuk kemi ardhur tek numërimi i grushteve të miellit.

Derisa numërojmë hapat në shtëpitë tona, të izoluar, vetëm dy gjëra janë duke ndodhur - zhvleftësimi i çdo gjëje materiale dhe durimi për të mbijetuar.

Por të mos harrojmë, ka një dallim ndërmjet shoqërisë kosovare, shoqërive si ajo e Kosovës, dhe shoqërive të tjera.

Shumë pak kohë më parë kosovarët kanë përdorur një antenë satelitore për tërë ndërtesën. Shumë pak kohë më parë kosovarët kanë pasur me qindra kilogram mielli, depo të plota të rezervave të ushqimit. Shumë pak kohë më parë kosovarët kanë jetuar në prag të shfarosjes, kërcënimit për ekzistencë dhe dezintegrimit total.

Shoqëria kosovare, dhe të tjerat që kanë kaluar nëpër gjendje të kërcënimit kolektiv, kanë qenë deri dje në situatë që po ndodhë lidhur me Corona virusin.

Gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar Kosova ka fituar përkrahjen e tërë botës gjatë periudhës së luftës pikërisht përshkak të solidaritetit të shoqërisë së saj, unik.

Dallimi i deri para një muaji ndërmjet shoqërive të avansuara ekonomikisht dhe shoqërive që jetonin nën instinktin e mbijetesës ishte tepër i madh dhe tepër i dhembshëm.

Pikërisht të jetuarit nën kërcënim kolektiv si kosovarët, nën instinktin për të mbijetuar, është sot fuqia më e madhe ndaj kësaj tragjedie. Në të vërtetë njerëzimi kthehet në inicim të një - kohe biblike.

Tanimë njerëzimi është përballë asaj që e shikonim në filma dhe në art si imagjinatë e skajshme. Tanimë njerëzimi është në përballje me vetë ekzistencën e tij.

Sa të largëta dhe të panevojshme bëhen gjërat. Të gjithë ato banesa, ndërtesa, që po ndërtoheshin. Të gjitha ato lagje. Të gjitha ato super tregje e qendra të shoppingut. Të gjitha agjencitë turistike. Si ngjajnë tani? Apo është ende herët në këtë izolim. Apo ende jemi të shokuar nga ajo që po ndodh dhe nuk mund të perceptojmë se ka ardhur kohë biblike.

Të gjitha këto, kanë filluar të mbeten prapa anës tjetër të jetës sonë. Apo edhe kemi filluar t’i kujtojmë si diçka e largët.

Mirëpo, po na pret, tërë njerëzimin shkalla e radhës së sprovimit tonë. Tanimë ka ardhur fundi i muajit dhe njerëzit, edhe në Kosovë edhe globalisht do të ballafaqohen edhe me një tragjedi, apo me shkallën e ardhshme të tragjedisë. Nuk do të kenë rroga, apo nuk do të kenë më financa për të paguar punëtorët. Apo do të kenë ballafaqim me fundin e sistemit, si atë të ekonomisë dhe po ashtu edhe atë të mirëqenies.

Shoqëritë si kjo e Kosovës kanë shumë pak kërkesa, apo edhe dinë si të përmbahen dhe të kenë durim ndaj kërkesave të jetës bashkëkohore (asaj të kaluar). Në të vërtetë për shoqëritë si kjo e Kosovës, zhvleftësimi i jetës, koncentrimi i jetës në miell dhe vaj dhe numërim të lugëve të sheqerit, është përditshmëri në masën më të madhe të saj

Por ka një dallim në këtë, derisa deri para një muaji ne ishim të mbetur pre e tragjedisë sonë, dhe e shikonim jetën e të tjerëve si matanë të mundshmes sonë, tanimë i gjithë globi është në të njëjtën gjendje. Tanimë dallimi është duke u zhdukur, dhe jemi të gjithë të brishtë dhe të rrezikuar. Apo çfarëdo që kemi është e pavlefshme ndaj kërcënimit ku gjendemi.

Shtete të fuqishme në botë kanë deklaruar se do të përjetojnë, në kohë, bankrotin. Shtete të fuqishme në botë kanë pranuar se kemi kaluar pragun, për në kohë bibilke. Në rrezik kolektiv global. Gjë që do të ndryshoj jetën në tërësi. Do të kthej njerëzimin përballë pafuqisë së tij, brishtësisë së tij. Gjë që do të ndryshoj rrugëtimin tonë, si njerëzim.

Sjellja jonë do të jetë, deri në gjeneratat që do të lindin dhe do të vetëdijesohen pas Corona virusit, deri kur do të harrohet kjo tragjedi, gjithmonë në raport me këtë tragjedi. Gjithnjë në raport me këtë pafuqi të njerëzimit. Gjithnjë në raport me zhvleftësimin dhe rrënimin e mundshëm të jetës dhe ëndrrave tona.