Demhasaj: Qeveria teknike nuk i duhet tash Kosovës, të shkohet në zgjedhje

Demhasaj: Qeveria teknike nuk i duhet tash Kosovës, të shkohet në zgjedhje

Analistët politik, zgjedhjet po i shohin si opsioni më i mirë pas situatës së krijuar në vend, me rrëzimin e Qeverisë Kurti nga 82 deputetë.

Arton Demhasaj tha se deri në kalimin e pandemisë, Kosovës i shërben më së miri kjo qeveri në largim, e pas saj shtoi ai, duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme si opsioni më real.

“Duke marrë parasysh situatën ku jemi, duhet të vazhdohet me këtë qeveri, të paktën deri në kalimin e situatës pandemike. Mënyra më e mirë për ta dalë nga kjo krizë politike është që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse çfarëdo qeverie tjetër që krijohet jashtë VV që është fituese e zgjedhjeve nuk është se krijon një shije të mirë sepse fituesi i zgjedhjeve me mbetë në opozitë, ndërsa partitë që kanë qenë në opozitë të krijojnë qeveri, nuk është që e gëzon një legjitimitet të plotë. Prandaj duhet të mbetet kjo qeveri në largim deri kur kalon situata pandemike e pastaj kur krijohen kushtet të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme e sovrani ta përcaktojë se kush e udhëheqë Kosovën katër vitet e tjera”, tha Demhasaj.

 

Ai ka përmendur edhe opsionet tjera për krijimin e një qeverie të re.

“Mundësia është që VV ose të provojë prapë të bëj qeveri me partitë tjera, ose nëse VV nuk dëshiron ta bëjë këtë, atëherë me të lëshojë hapësirën për ofertën e tretë, që presidenti e ka deskrecion që për herë të tretë t’ia japë një partie tjetër, jashtë partisë fituese, për të krijuar një shumicë parlamentare dhe të krijojë qeverinë”, ka thënë ai. E mundësinë e krijimit të Qeverisë teknike, Demhasaj nuk e sheh të efektshme në situatën aktuale të Kosovës, pasi sipas tij ajo është e kufizuar në veprime e vendime.

“Qeveria teknike nuk është diçka që i duhet tash Kosovës, sepse është e kufizuar në veprime e vendime dhe nuk është mundësi e mirë që me zgjidhë ndonjë problem që po ballafaqohet Kosova momentalisht”, tha Demhasaj.

Analisti thotë se VV ka pësuar nga proklamimi që ka bërë në zgjedhjet e tetorit se qeverinë do ta formojnë vetëm me LDK-në, e që kjo vetë tash ua rrëzoi atë qeveri.

“Ky ka qenë gabimi më i madh i VV-së, që para zgjedhjeve të 6 tetorit, gjithmonë ka proklamuar në publik se ne vetëm me LDK’në do të bëjmë qeverinë dhe ishte mu ajo LDK që ua rrëzoi qeverinë. Ky ka qenë gabimi i VV dhe prej këtij gabimi ka pësuar edhe tash”, tha ai për GazetaBlic. Ndryshe, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka shprehur qëndrimin e tij për krijimin e qeverisë së re, ku mes të tjerash në adresim ndaj presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se duhet ta mendojë datën e zgjedhjeve para se ta kërkojë emrin e mandatarit. Me këtë qëndrim, Kurti ka bërë të qartë se VV nuk do të pranojë opsion tjetër pos zgjedhjeve të jashtëzakonshme. “Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues. Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e Qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme”, ka shkruar ndër të tjerash Kurti në Facebook. Dy ditë më parë lidhur me çështjen e mandatarit është deklaruar edhe presidenti Hashim Thaçi. Ai ka thënë se nga e hëna do t’i fillojë konsultat me partitë për mundësinë e formimit të qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të kërkojë nga partia fituese një emër të ri për formimin e qeverisë. Nëse kjo parti, në rastin aktual, Lëvizja Vetëvendosje, i përgjigjet negativisht kërkesës së Thaçit atëherë kërkesa për mandatarin e ri u bëhet partive të tjera.