Milito kujton finalen e Madridit

Milito kujton finalen e Madridit

Ndërkohë që futbolli është ndalur për shkak të koronavirusit, emisionet televizive po gjejnë kohën t’u rikthehen protagonistëve të këtij sporti ndër vite dhe dje ishte radha e bomberit argjentinas Diego Milito, që të rrëfehej në një lidhje direkte me studio e Sky Sport.

El Principe, siç cilësohej në Milano, foli për lidhjet e forta me Jose Mourinhon dhe Massimo Morattin, emocionet e provuara gjatë suksesit historik në Championsin e 2010-ës, ku arriti të shënojë të dy golat e fitores ndaj Bayern Munchen etj.

Si po i kaloni ditët në Argjentinë?
Është një situatë e vështirë si në Itali, ashtu edhe këtu në Argjentinë, ku prej ditësh jemi në izolim dhe po rrimë vetëm brenda.

Emisionin e sotëm ua kemi dedikuar protagonistëve të triumfit në Championisn e 2010-ës. A mund të na tregoni çfarë ju tha Mourinho para se të zbrisnit në fushë për t’u përballur me Bayernin?
Na ka transmetuar shumë qetësi. Ai ishte lideri ynë dhe e dinte mirë se duhej të na largonte tensionin e të na bënte të luanim të qetë. E kujtoj mirë që para se të shkonim në stadium, na tha të shijojmë një mbrëmje që ndoshta nuk do ta përjetonim më kurrë në karrierë. Na tha se duhet të luanim si skuadër, pasi në këtë mënyrë kishim arritur në finale dhe kështu duhej të silleshim edhe atë mbrëmje.

Kur u zgjove mëngjesin e 22 majit, a kishe ndonjë parandjenjë se do të ishe ti ai që do të vendosje finale?
Një futbollistë kërkon të jetë i qetë dhe të zbresë në fushë me dëshirën e bindjen që gjithçka do të shkojë mirë. Për shumicën prej nesh ishte hera e parë që ndodheshim në finale e një kompeticioni kaq të rëndësishëm dhe e dinim që ishte një mundësi unike. Kemi shkuar në atë ndeshje me besim të madh dhe me vetëdijen se mund ta fitonim sfidën. Jam zgjuar me dëshirën dhe qetësinë për të dhënë gjithçka kisha në një ndeshje të tillë. Më pas unë pata fatin të shënoj dy gola në finale, por ai triumf ishte i të gjithë skuadrës, i një grupi të jashtëzakonshëm, ndaj mund të them edhe se isha me fat që iu bashkova Interit në momentin e duhur.

Çfarë emocionesh ke provuar pasi fitove Ligën e Kampionëve?
Diçka që është e vështirë të përshkruhet me fjalë,. Unë që i vogël kisha ëndërruar të luaja një ndeshje në Champions, ndërsa atë mbrëmje shënova në finale dhe fitova trofeun. Ishte një ëndërr e bërë realitet.

Çfarë emocione keni provuar duke luajtur në “San Siro”?
Është “La Scala” e futbollit dhe ishte një tjetër ëndërr e realizuar , të luaja në një stadium mitik.

Mund të themi se Massimo Moratti ishte si një baba për ju?
Patjetër. Një nga arsyet që e doja shumë atë trofe në Madrid, ishte edhe prej presidentit, që e meritonte një sukses të tillë dhe i meritonte ato emocione, pas gjithë asaj që kishte dhënë për klubin, ishte një kënaqësi e dyfishtë të shihje presidentin aq të emocionuar e të lumtur mbrëmjen e 22 majit në Madrid.

Të ka pëlqyer fraza “Princi që u shndërrua në mbret, në Madrid”?
Më rrëqethet mishi akoma, kur dëgjoj atë kronikë të Massimo Marianella. Me kalimin e viteve bëhet edhe më emocionuese e special.

Si e përshkruani sulmuesin ideal?
Unë jam i dashuruar pas Ronaldos, brazilianit, Kishte forcë, shpejtësi, teknikë të lartë, driblim dhe aftësi për të shënuar. Të gjitha cilësitë të mbledhura në një lojtar.

Si kanë qen raportet tuaja me Mourinhon?
Ka qenë një nga trajnerët më të mirë që kam pasur në karrierë. Kam ardhur te Interi falë tij dhe kam luajtur rregullisht, ndaj i jam falënderues. Nuk ishte thjesht një që komunikonte mirë, por shumë më tepër. Ishte një trajner që dinte të rriste vlerat e një skuadre të tërë, duke marrë më të mirën nga lojtarët.