Kufizimi i të drejtave të qytetarëve, shkakton erozion të shtetit ligjor?

Kufizimi i të drejtave të qytetarëve, shkakton erozion të shtetit ligjor?

Hans-Jürgen Papier ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë dhe konsiderohet si njëri prej juristëve më të famshëm gjermanë. Në një intervistë për gazetën “Süddeutsche Zeitung” ai thotë se nëse kufizimi i të drejtave të qytetarëve vazhdon gjatë, atëherë është në rrezik liria. Papier apelon në ndryshimin e ligjit për mbrojtje nga infeksionet.

Përhapja e virusit Covid-19 ka nxitur debate edhe mes juristëve nëse kufizimi i të drejtave të qytetarëve është përpjesëtimor me rrezikun real. Në një intervistë me gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, Hans-Jürgen Papier, ka paralajmëruar se të drejtat themelore mund të pësojnë dëm të madh nëse vazhdojnë gjatë restrikcionet për shkak të krizës së koronës.

Papier tha se kufizimet e deritanishme në Gjermani i konsideron legjitime, por, sipas tij, ekziston rreziku i “erozionit të shtetit ligjor” nëse vazhdojnë gjatë “ndërhyrjet masive në lirinë e të gjithëve”. Kufizimi i lirive në mbarë vendin nuk mund të tolerohet për një kohë të gjatë, tha juristi i njohur, i cili ka ligjëruar në Universitetin e Münchenit dhe mes viteve 2002-2010 ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese gjermane. Papier tha se politika dhe administrata shtetërore duhet vazhdimisht të shqyrtojnë nëse janë të mundshme masat më pak të ashpra. Nëse restrikcionet vazhdojnë për një kohë të gjatë, “atëherë shteti ligjor liberal ka marrë fund”.

Profesori i së drejtës kushtetuese tha se nuk është e lejueshme që në stacionet intensive në spitale t’u jepet përparësi për trajtim pacientëve më të rinj dhe më të shëndoshë. “Një jetë nuk mund të matet kundër jetës tjetër”. Papier kritikoi këshillat e shoqatave të mjekëve, ku bëhet një renditje se kush do të trajtohet së pari nëse ka mungesë të shtretërve spitalorë për trajtim intensiv. Këto këshilla, tha Papier, janë juridikisht problematike, “sepse vihet në dyshim dinjiteti njerëzor dhe parimi i barazisë në ruajtjen e dinjitetit njerëzor”. Sipas një gjykimi të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë çdo jetë është e barabartë dhe ka vlerën e njëjtë.

Papier u ankua që ndërmarrjet duhet t’i bartin pasojat e rënda ekonomike për shkak të ndërhyrjeve shtetërore pa pasur të drejtë ligjore për dëmshpërblim. Ai tha se “menjëherë” duhet të ndryshohet ligji për mbrojtje nga infeksionet. Sipas Papier me gjasë kur është miratuar ligji, askush nuk ka menduar në masa me një konsekuencë të tillë si tani./DW