I infektuari nga Topanica e mohon se ka lëvizur nëpër qytet,isha i izoluar
Besian Beha,RTK
Në fshatin Topanicë të Kamenicës deri më tani, 12 persona kanë rezultuar të prekur me COVID-19. E disa persona tjerë janë testuar dhe po presin rezultatet.
Personi që i pari u infektua ishte B. Morina, shofer i autobusit në linjën Gjermani-Kosovë, i cili dyshohet se shpërndau virusin edhe te familja.
Por, Morina e mohon se ka pasur lëvizje të shpeshta. Ka thënë se gjendja e tij është e qëndrueshme.
B.Morina – I infektuar nga COVID-19
"Nihere shkova në një shtëpi të vjetër që e kemi, me u largu prej familjes. Mirëpo nuk kish as ujë as kurgjo. Shpija tu rrxu. Unë kom pas kontakt vec me anëtarët e familjes, e vëllau ka mujt me lëviz se nuk e ka dit. Unë nuk kam dalë qysh po thonë, kërkah nuk jam shku, ama fjalët e njerëzve nuk po mujshe me i ndalë"
Nga të infektuarit deri më tani në Topanicë, ka persona të moshave të ndryshme, duke përfshirë edhe foshnje.
E banorët e këtij fshati, tregojnë për gjendjen momentale.
Blerim Morina: "Kryesisht mirë është nuk ka dicka për panik, pasi ata që kanë pas kontakte janë izolum, ato familje. Janë njoftu dhe janë izolu"
Kryetari i Kamenicës, në anën tjetër, thotë se janë mobilizuar për ta luftuar Koronavirusin.
Qëndron Kastrati: "Pasi nuk jemi ndër komunat e prekura, ne kemi mësuar nga komunat e tjera, dhe stafi shëndetësor është i furnizuar me pajisje mbrojtës. Kurse për Policinë e Kosovës ne po duhet të asistojmë"
Deri kur të përfundojë kjo situatë, veturat që ia mësyjnë Topanicës, do të duhet të kthehen prapa.
I infektuari me COVID nga Topanica e mohon se ka lëvizur nëpër qytet, thotë se ishte izoluar























