Koronavirusi, Sassoli: BE-ja mbështet Ballkanin në përballimin e krizës

Koronavirusi, Sassoli: BE-ja mbështet Ballkanin në përballimin e krizës

Bashkimi Evropian po shqyrton mënyrat për të përfshirë Ballkanin Perëndimor në mekanizmat reagues, për të ndihmuar në përballimin e krizës së krijuar nga koronavirusi.

Këtë e ka bërë të ditur, Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli në përgjigje të letrës së kryeparlamentarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët kërkonin lehtësimin e rregullave për eksportet e pajisjeve mjekësore dhe shtimin e ndihmës për luftën ndaj pandemisë COVID-19.

“Ne po përjetojmë një sfidë të paparë, te shkaktuar nga pandemia COVIC-19. Një problem global nuk mund të ketë zgjidhje kombëtare, dhe në shumë aspekte, kjo përhapje e Koronavirusit është një test për solidaritetin tonë evropian. Institucionet evropiane vepruan mirë dhe paraqitën një linjë unike në propozimin e zgjidhjeve evropiane – zgjidhje të bazuara në solidaritet dhe që përpiqen të mos lënë mënjanë vendet më të brishta, transmeton oranews.

Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes tonë evropiane dhe prirja e tyre evropiane është përtej çdo dyshimi. Ndaj, jam plotësisht dakord me ju kur thoni se çdo masë e marrë në nivel evropian duhet të përfshijë vendet tuaja, dhe së paku të mos shkaktojë ndonjë pasojë negative në përpjekjet tuaja për t’u pëballur me pandeminë COVID.

Të jeni të sigurt se BE tashmë po shqyrton mënyrat për të përfshirë rajonin tuaj në mekanizmat e tij reagues. Si President i Parlamentit Evropian mund t’ju siguroj për mbështetjen time të plotë për të gjetur zgjidhjet më të mira, në mënyrë që ju të mund të mbroheni nga efektet negative të kësaj krize. Miqtë e mirë e tregojnë dashurinë e tyre në kohë të vështira, jo vetëm në kohë të mira. Është koha për solidaritet dhe rajoni juaj duhet të përfshihet. Nëse rrimë të bashkuar, mund të dalim më të fortë nga kjo krizë.”, shkruan në letrën drejtuar kryeparlamentarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.