Vetëm Serbia e Rusia e duan ndarjen,SHBA garantuese e integritetit

Vetëm Serbia e Rusia e duan ndarjen,SHBA garantuese e integritetit

Shkruan: Artan Behrami

Që nga viti 1999, Rusia, Serbia, Irani dhe shumë shtete e organizata kanë investuar në destabilizimin e veriut të Kosovës. Pa sukses!

Vetëm shteti serb ka investuar mbi 6 miliardë euro në struktura paralele dhe kriminale për ta thelluar ndarjen, një pjesë e tyre fonde të IPA-s së Bashkimit Evropian. Pa sukses!

Janë përdorur krejt metodat e mundshme, si ajo e krijimit të barrikadave sikur në Bosnje dhe Kroaci. Pa sukses!

Janë vrarë dhe dëbuar shqiptarët. Janë kërcënuar dhe populluar lagjet shqiptare me serbë të Bosnjës dhe Kroacisë. Janë vendosur grupe kriminale, janë..., për të krijuar ndarje në vija etnike. Pa sukses!

Rusia njëjtë si në Republikën Serbe është munduar të investojë para, ndihma, logjistikë. Ka investuar dhe është duke investuar në destabilizimin e Kosovës, përmes qendrës së saj në Nish. Pa sukses!

A e dini pse kryeministër? Natyrisht e dini!

Por, cyberxhemati ka nevojë për opium për të vazhduar transin dhe hipnozën se kryeministri hyjnor është i pagabueshëm, duke ia vendosur Yllin e Davidit çdokujt që mendon ndryshe nga kryeministri.

Duke akuzuar këta yllmbajtës për të gjitha fatkeqësitë që kanë ndodhur në tri dekadat e fundit, duke relativizuar paaftësinë e kryeministrit për të vepruar!

Kryeministër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garantuesit suprem të integriteti territorial të Kosovës. SHBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja janë garantuesit e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe të Kosovës.

Kështu që, Hashimi, Isa, Kadria, Ramushi, Fatmiri... nuk janë armiqtë tuaj për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës. Armiqtë tuaj janë Serbia dhe Rusia!

Të paktën në këtë betejë mos i braktis liderët politikë dhe Amerikën, sepse në mungesë të tyre, në veri do të mbetet vetëm Serbia dhe Rusia!