Veseli: Mbahet seancë e jashtëzakonshme, për një pako 320 milionëshe
Ditën e premte pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës që të miratohet një pako e emergjencës fiskale prej 320 milionë euro, pako e cila do të jetë për sektorin privat dhe personelin shëndetësor.
(E plotësuar) Kështu ka bërë të ditur sot kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili gjatë vizitës që i ka bërë Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, tha se kjo pako ka për qëllim t’i ndihmojë punëtorët shëndetësor dhe punëtorët në sektorin privat. Po ashtu, ai tha se kjo pako do t’iu dal në ndihmë komunave për t’u fuqizuar në ballafaqimin me këtë pandemi.
"Është çështje e atyre që e kanë ngritur mocionin e mosbesimit dhe e këtyre të cilët aktualisht janë në qeveri të marrin vendim marrje, pozicioni ynë është i qartë. Por, ajo çfarë është kryesorja në këtë moment, Kosova dhe qytetarët e tanë po ballafaqohen me një problem i cili është pandemia kjo shëndetësore, pjesa tjetër çka është shumë e rëndësishme është pjesa cila do të jetë pasoja pas kësaj pandemie. Po besojmë pas dy muajve, tre muajve kur mund ta tejkalojmë në tërësi pandeminë, është pjesa socio-ekonomike, do të thotë drejtpërdrejtë sektori privat. Kemi të bëjmë me 280 mijë punonjës të sektorit privat të cilët sot po rrezikojnë të mbeten në skema sociale. Kjo është ajo të cilën e kam iniciuar një iniciativë si PDK, presim që ditën e premte ta kemi një seancë të jashtëzakonshme, është një pako prej 320 milionë euro, të cilat do t’i ndihmojnë drejtpërdrejtë punonjësit në sektorin privat po edhe ndërmarrësit”, tha ai.
Veseli tha se beson që ditën e premte do të jetë një ditë e bashkimit të spektrit poli tik në Kosovë.
I pyetur se a është kjo vizitë e tij si një lloj fushate, Veseli tha se kjo është për të treguar se nuk janë ndalur as në luftë e as tash nuk do të ndalen.
“Jo, jo, përkundrazi, kjo është me tregua se ne nuk jemi ndal as në luftë, nuk do të ndalim as në pandemi. Ne duhet të respektojmë instruksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Por, aktualisht bash pak e hiç e kam mendjen për fushatë elektorale, ta kryejmë këtë pjesën e rëndë të cilën e kemi, të jemi të suksesshëm, mos ta mashtrojmë vetveten. Nëse kemi vërtet të infektuar t’i identifikojmë ata se nuk është marre, ta ndalim zinxhirin e infektimit. Në momentin që e kalojmë këtë rrezik i cili është për shëndetin e njerëzve është edhe kjo pjesa ekonomike, pastaj për politikë edhe këta janë lodh dhe nu k kanë kohë sot”, u shpreh ai.
Kreu i PDK-së ka thënë se institucionet e vendit duhet t’iu dalin në ndihmë komunave, derisa ka përmendur se si Komuna e Malishevës sipas tij është lënë anash. Po ashtu, ai ka bërë thirrje që të bëhen më shumë testime për COVID-19.
Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se deri tani komuna që e drejton nuk ka asnjë qytetar të konfirmuar me COVID-19.
Sipas tij, masat që kanë ndërmarrë si komunë kanë bërë që të parandalohet shpërndarja e kësaj pandemie, për çka tha se janë nxituar që të marrin vendime në të mirë të qytetarëve.
"Ne jemi nxituar nga pak në vendime që kemi marrë, por le të na falin qytetarët me nxitimet që kemi pasur, por arsyeja e vetme ka qenë që të ruhet shëndeti i tyre. Sot kur jemi me disa ditë të kaluara nga ardhja e pandemisë COVID-19 në Kosovë, le të na falin edhe sot, po njëkohësisht i lusim që ata të respektojnë të gjitha masat që janë pjesë e apelimit të vazhdueshëm të njerëzve që sot janë duke shërbyer, mantel bardhëve", tha ai.
Ai tha se vizita e të parit të PDK është një mbështetje për komunën që e drejton dhe për gjithë personelin shëndetësor.
Ndërkaq, drejtoresha e QKMF-së në Ferizaj, Nadire Imeri, tha se i gjithë stafi në këtë qendër është i mobilizuar për t'iu dal në ndihmë qytetarëve, derisa është shprehur e bindur se nëse do të ketë bashkëpunim të qytetarëve për të respektuar masat do të kalohet më lehtë kjo pandemi.
Ajo tha se deri më tani qëndrojnë mirë sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor.
"Po besoj që bashkërisht dhe duke respektuar qytetarët masat, gjegjësisht kufizimet në lëvizje, mbajtja e distancës, përdorimin e pajisjeve mjekësore, si dhe punën e palodhshme të stafit mjekësor që e kryen punën me përpikëri, besoj shumë që bashkërisht do t'ia dalim mbarë kësaj beteje...Sot pritet të furnizohemi nga MSH me një kontingjent të pajisjeve mbrojtëse mjekësore. Ndërsa nëse kemi nevojë ne do ta bëjmë një kërkesë që veç na ka mbështetur kryetari që të bëjmë kërkesë për furnizim shtesë nëse ka nevojë", tha ajo.
Ajo tregoj se në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare është bërë një riorganizim i stafit dhe orarit, në mënyrë që të ruhet një pjesë e stafit mjekësor.
Kreu i PDK-së gjatë vizitës së tij në Ferizaj, ka vizituar edhe një barnatore dhe një furrë të bukës, derisa ka zhvilluar edhe një takim me drejtues të bizneseve të Komunës së Ferizajt.























