KShC e AKA në këto rrethana të vështira, po bëjnë punë të jashtëzakonshme

KShC e AKA në këto rrethana të vështira, po bëjnë punë të jashtëzakonshme

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Republikës së Kosovës, ka mbajtur më 1 prill 2020 mbledhjen e 80-të, në të cilën janë shqyrtuar aplikacionet e institucioneve të arsimit të lartë (IAL), për programet ekzistuese dhe programet e reja të studimeve në nivelet bachelor dhe master.

Për shkak të gjendjes së emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga virusi Covid-19, mbledhja është mbajtur online dhe në të kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e KShC-së, vendorë dhe ndërkombëtarë. Pothuajse të gjitha vendimet për aplikacionet e IAL-ve janë marrë me unanimitet.

Në mbledhjen paraprake të KShC-së, mbajtur më 16 dhe 17 shumica e aplikacioneve të pranuara ishin aprovuar. Megjithatë, për një numër të aplikacioneve KShC-ja u kishte dhënë afat shtesë IAL-ve në mënyrë që të sigurohet se aplikacionet e tyre përfshijnë numrin e kërkuar të stafit të fushës për secilin program që mendojnë ta ofrojnë. Institucionet duhet ta përmbushin këtë kriter ligjor për të kaluar në hapin e radhës, vlerësimin e programeve akademike nga ekspertët ndërkombëtarë.

Pas miratimit të listës së ekspertëve ndërkombëtarë javën e kaluar dhe vendimit për aplikacionet e institucioneve të arsimit të lartë, në mbledhjen e 80-të të KShC-së, tanimë hapet rruga për procesin e formimit të paneleve të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësim të institucioneve në akreditim e sipër dhe programeve të studimit.

KShC dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), përkundër rrethanave të vështira të shkaktuara nga pandemia Covid-19, po bëjnë punë të jashtëzakonshme për të zbatuar përgjegjësitë ligjore dhe institucionale për të siguruar se një proces efikas dhe efektiv, një akreditim profesional  do të kontribujë në zhvillimin e rritjen e vazhdueshme të arsimit të lartë në Kosovë.