Liridon Mirena flet për situatën në futbollin e Kosovës me Covid-19
BKT
Sport

Liridon Mirena flet për situatën në futbollin e Kosovës me Covid-19

Edhe në Kosovë, ashtu si dhe në mbarë botën sporti është pezulluar që nga data 13 mars, për shkak të Coronavirusit Covid-19.

Dilema më e madhe e kësaj periudhe është se kur do të fillojnë skuadrat me stërvitje dhe në çfarë forme do të përmbyllen kampionatet e futbollit. Pikërisht për këtë situatë të krijuar për RTK-në ka folur trajneri i njohur kondicional në Kosovë, Lirdon Mirena.

Ai nuk e sheh të afërt ditën e rifillimit të futbollit. “Duke pasur parasysh se si po zhvillohen ngjarjet në vendin tonë me virusin Covid-19, ku numri i të infektuarve po rritet çdo ditë jam shumë pesimist se mund të fillojnë ushtrimet dhe të zhvillohet kampionati i rregullt. Me gjasë mund të vijmë edhe ne në situatë sikurse disa shtete që tashmë kanë vepruar, duke i anuluar kampionatet e që ka qenë vendim i vështirë dhe ndoshta jo i drejtë, por gjendja në cilën po kalojmë ne edhe e gjithë bota nuk e mundëson që të kemi ndeshje dhe spektakle në tribuna”, ka thënë Mirena.

Ai tutje ka thënë se personalisht po i mungojnë shumë ushtrimet dhe loja e futbollit. "Për çdo sportistë kjo është një periudhë shumë e vështirë dhe e tillë është edhe për mua ngase jemi mësuar të jemi në fushën e gjelbër dhe të punojmë me fëmijët e grupmoshave të ndryshme. Sidoqoftë, shpresoj ta kalojmë edhe këtë sfidë dhe t'i kthehemi normalitetit për të punuar në zhvillimin e talenteve të reja. Sigurisht se kjo pandemi do të lë pasoja të mëdha edhe në futboll, por duhet që të rikthehemi fuqishëm me punë dhe vullnet për të krijuar sa më shumë futbollistë si Rashica, Zhegrova etj. Gjithsesi në këtë periudhë për çdo futbollistë pa marrë parasydh moshën është e rëndësishme që të qëndrojnë aktiv dhe të improvizojnë ushtrime të ndryshme në shtëpi në mënyrë që ta ruajnë formën", ka shtuar Liridon Mirena.