Si mund të përhapet coronavirusi nga një kollë e vetme në një supermarket

Si mund të përhapet coronavirusi nga një kollë e vetme në një supermarket

Studiuesit në Finlandë kanë krijuar një video që tregon një model se si coronavirusi mund të përhapet nga një kollë e vetme në një supermarket.

Sipas medieve të huaja, videoja u ngarkua në YouTube nga shkencëtarët në Universitetin Aalto të Finlandës.

“Në modelin 3D, një person kollitet në një korridor të kufizuar nga raftet në kushte të ajrit të brendshëm të ventilimit”, shpjegon video. “Si rezultat i kollitjes, një re aerosol udhëton në ajër në korridor. Duhen disa minuta që të përhapet dhe shpërndahet”.

“Rezultatet paraprake tregojnë se grimcat e aerosolit që mbartin virusin mund të qëndrojnë në ajër më gjatë seç u mendua fillimisht, kështu që është e rëndësishme të shmangni hapësirat e mbyllura publike”, shpjegojnë studiuesit në një deklaratë.

Kjo sipas tyre, “gjithashtu zvogëlon rrezikun e infeksionit nga ‘pikave’, e cila mbetet rruga kryesore e transmetimit për coronavirusin”.

Siç bëhet e ditur më tej, në studimin e tyre, studiuesit modeluan lëvizjen në ajër të grimcave aerosol më të vogla se 20 mikrometra, duke vënë në dukje se madhësia e grimcave për një kollë të thatë është tipikisht më pak se 15 mikrometra.

“’Grimcat’ jashtëzakonisht të vogla të kësaj madhësie nuk bien në dysheme, por përkundrazi, lëvizin nëpër rrymat e ajrit ose mbeten duke ‘fluturuar’ në të njëjtin vend”, kanë thënë ata në deklaratë, përcjell Telegrafi.

Në hulumtim u përdor një superkompjuter në CSC, që është Qendra finlandeze e IT për shkencë dhe teknologji vizualizimi 3D.

Shkrimi në fjalë vë në pah faktin se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kohët e fundit rekomanduan veshjen e “maskave të fytyrës” në ambiente publike ku masat e tjera sociale të distancimit janë të vështira për t’u mbajtur, të tilla si dyqanet ushqimore dhe farmacitë.

Ndryshe, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i personave të infektuar me coronavirus në botë ka tejkaluar shifrën 1.6 milion përkatësisht 1,602,216.

Numri i të prekurve mendohet se është shumë më i lartë, pasi shumica e personave janë duke u përballur me simptoma të lehta.

Ndërkohë 95,731 persona kanë vdekur në gjithë botën dhe 335,066 janë shëruar.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të prekurve, 466,033, të pasuara nga Spanja, Italia dhe Gjermania.

Italia deri më tani ka numrin më të madh të të vdekurve, 18,279, ndërkohë 15,247 persona kanë vdekur në Spanjë dhe 12,210 në Francë.

Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka më shumë se 7,978 të vdekur dhe mbi 65,000 të infektuar.