Maloku:Kemi kaluar situata edhe më të rënda, do ta tejkalojë edhe pandeminë

Maloku:Kemi kaluar situata edhe më të rënda, do ta tejkalojë edhe pandeminë

Po bëhen gati një muaj që kur Kosova filloi të marrë masa kundër përhapjes së virusit COVID-19. Ndërsa vendi ynë mbetet me numrin më të ultë të vdekjeve dhe prekjeve me koronavirusin. Sociologu Fadil Maloku në një intervistë për KosovaPress thotë se krahasuar me vendet e rajonit, por edhe ato botërore, populli ynë po dëshmon se është goxha i disiplinuar.

Maloku thotë se Kosova do ta tejkalojë këtë gjendje lehtë, pasi që thotë se në vitin 99 kishte kaluar një sprovë edhe më të madhe.

Profesori universitar merr shembull bombardimet e NATO-së, ku për 78 ditë, shumë qytetarë mbeten të ngujuar nëpër banesat e tyre dhe më në fund ia arritën triumfit.

Maloku: Po dëshmohemi që jemi goxha të disiplinuar

(Video) 

"Krahasuar me vendet për rreth, por edhe në nivel global, po dëshmohemi që jemi goxha të disiplinuar. Kj o për mua është një sprovë e dytë, duke krahasuar periudhën me bombardimet e NATO-së në 99-në. I kemi pritur 78 ditë të bombardimeve në Prishtinë. Por për dallim prej 99-shit kjo kohë e pandemisë të koronavirusit për mendimin tim është shumë më lehtë e tejkalueshme, për shkak të shumë argumenteve. Mendoj që ne nuk e kemi frikën e kërcënimit serioz për jetë. E kemi kërcënimin vetëm në atë pjesën e shpërndarjes dhe panikut, Sepse paniku pastaj na kthehet si bumerang dhe mund të marr edhe viktima. Por duke e tejkaluar këtë situatë me durim ne mendoj që mund t'ia dalim dhe mund të kemi më pak pasoja. Sot lexova që në Itali një mjek kish bërë vetëvrasje që është e paimagjinuar psh që në kulturën dhe mentalitetin dhe psikologjinë e ndonjë shqiptari me gjet që bën një veprim të tillë shkaku i pretendimit që të infektohet me COVID-19", thotë ai.

Sociologu Maloku këshillon qytetarët që janë vetëizloluar, por edhe ata në karantinë që t’i kthehen librave dhe të largohen medieve sociale dhe lajmeve të rreme.

Ai thotë se mosseleksionimi i informacioneve rreth kësaj pandemie krijon vetëm frustrim dhe stres te qytetarët, që më vonë do të ndikojë negativ në shëndetin e tyre.

"Njerëzit duhet ta gjejnë vetveten. I kisha këshilluar që t'i kthehen librave që i kanë hedhur dhe do të kuptojnë se jeta është shumë më interesant sesa përcjellja e këtyre lajmeve të rreme të cilat nuk kanë ndonjë burim të saktë dhe mund të jenë lajme të rreme, të cilat njëfarë mënyrë na dezorientojnë, por njëkohësisht e krijojnë njëfarë frustrimi të panevojshëm. Për shkak se njeriu kur është i koncentruar në njëfarë mënyre në shumë tema mundohet të mbledh informacione për këtë pandemi dhe atëherë ai futet në n jë det të informacioneve, ku në qoftë se nuk ka një sistem të seleksionimit të këtyre informacioneve ekziston rreziku që ai të humb në atë farë vorbulle dhe t'i krijojë veti situata frustruese, por njëkohësisht edhe të krijojë stres i cili më vonë mund të bëhet pengesë serioze në vazhdimin e jetës mëtejme”, thotë ai.

Nëse kjo gjendje pandemike zgjatë, Maloku thotë se do të krijojë situata të reja, duke prekur edhe ekonominë. Por, megjithatë është optimist se populli ynë edhe situatën paspandemike do ta tejkalojë pa ndonjë vështirësi të theksuar.

Thotë se problem do të kenë vendet e zhvilluara të cilat edhe ashtu kanë bërë një jetë luksi.

"Pandemia ka me prodhuar situata të reja në qoftë se zgjatë më shumë. Mund ndodh që të prodhojë situata edhe pasiguri ekonomike te njerëzit. Ne si popull që ka përvoja të përhershme me këtë varësinë ekonomike besoj që do t'ia dalim. Por po flas në nivelin global ka shumë dilema, sepse shoqëritë të cilat janë mësuar të jetojnë në konzumerizëm dhe në hedonizëm të pandërprerë ato e kanë problem të ballafaqohem me mungesë të plotësimit të kërkesave elementare. Ne nuk e kemi atë problem si shoqëri dhe si individ. Besoj që meqë nuk kemi kërkesa të tilla të shumta, apo themi të tepruara hedoniste atëherë e kemi edhe më lehtë me tejkalua edhe situatën pas pandemisë", thotë ai.

Maloku po ashtu thotë se këtë gjendje pandemie duhet shfrytëzuar edhe për lidhje farefisnore dhe përkushtim familjar.