Veseli falënderon ShBA-në, BE-në dhe Turqinë për ndihmat

Veseli falënderon ShBA-në, BE-në dhe Turqinë për ndihmat

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka falënderuar BE-në, ShBA-në dhe Turqinë për ndihmat që i janë dhënë Kosovës në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Ai ka shkruar, në rrjetin social Facebook, se Kosova është e bekuar që ka shtete mike partnere që na kanë ndihmuar në çdo sfidë gjatë së kaluarës dhe që na gjenden pranë gjithmonë në nevojë.

“Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Turqinë për ndihmën bujare që na kanë dhënë gjatë ditëve të fundit, për të përballur luftën kundër koronavirusit. 

Ne mirëpresim dhe vlerësojmë jashtë mase çdo ndihmë që vjen në këtë situatë të rëndë. Kosova ka ende nevojë për ndihmë nga miqtë, sepse të gjithë e kemi parë se lufta kundër pandemisë ka vënë në vështirësi edhe shtetet më të zhvilluara të botës. Populli i Kosovës nuk do të harrojë kurrë ndihmën e dhënë në këtë moment të vështirë”, ka shkruar Veseli.