Qeveria e shkurtit dhe mësimet qe duhet nxjerrur

Qeveria e shkurtit dhe mësimet qe duhet nxjerrur

Shkruan: Muhamet H. Bytyçi

Sistemi elektoral dhe karakteristikat e partive politike në Kosovë, nga përvoja e deritanishme nuk prodhojnë fitues në zgjedhje që i fiton të gjitha e as humbës që humbet të gjitha. Përvoja kosovare tregon se në këtë sistem elektoral janë të pashmangshme bashkëpunimet ndërpartiake e ndëretnike. Kushdo që të dëshiroj atë pozitë të kryeministrit dhe jo vetëm, duhet të ketë gatishmerinë për të respektuar tjetrin  dhe ndërtuar partneritet korrekt.

Edhe zgjedhjet e 6 tetorit 2019 na dhanë një rezultat që asnje parti nuk e kaloi numrin 30 të deputetëve,  që është një e katërta e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në situatën ku partia e parë dhe partia e dytë kanë një rezultat të ngushtë me dallim vetëm një deputet dhe partia e tretë nuk është më larg se 5% nga partia e parë,  janë të pashmangshme bashkëpunimet dhe kompromiset politike.

Sigurisht që është në natyrën e pushtetit e në veçanti të partive me deficit të madh demokratik kur janë në pushtet që të kënë synim të kenë pushtet sa më aboslut, por kur pushteti absolut bëhet i vetmi synim, atëherë bashkpunimet me të tjerët bëhen të vështira, të pa qëndrushëme dhe shpesh të pa arritshme.

Një situatë kur i pari i do të gjitha, madje edhe zhbërjen e të dytit që ishte në këtë rast në mes të VV-së dhe LDK-së,  si partneri kryesor në kurrizin e të cilit edhe kishte fituar një përparsi në garë, situata bëhet edhe më problematike. Premtimet elektorale ishin se do ketë një koalicion të partive opozitare të qëndrushëm dhe me objektiva të qarta në mes të VV-së dhe LDK-së, dhe se janë e vetmja shpresë për ndryshim. Ky premtim ngjalli pritje të mëdha në shoqërinë kosovare dhe rezultate elektorale që i nxori mirë dy partitë opozitare.

Por ëndërra  nuk zgjati!

Kryeministri i shkarkuar  e nisi mbrapshtë para fushatës dhe gjatë saj. Etiketoj këdo që i doli përpara si e keqja e këtij vendi, shfrytëzoj çfarëdo lloj paknaqsie që kishin njerëzit, vetëm për një votë më shumë.

Pas fushatës krijonte vonesa e pengesa nga më të ndryshmet që Kosovës ja vonoi për 119 ditë Qeverinë e re,  duke mos pasure fare konsideratë as për vendin e as për partnerin politik, më të cilin në njëfarë forme edhe kishin garuar bashkë, pavarësisht se ishin dy lista.

Një bashkim i pasinqertë me LDK-në, të cilin e dëshmoi hakmarrja pas prishjes,  duke e goditur me shkarkime e vendime hakmarrëse në mes të natës, tregoi shumë. Pastaj vazhdoj lufta speciale ndaj LDK-së me etiketa, fyrje e tendenca për të futur pyka kryesisht përmes veglave siç është shëndërruar zonja Vjosa Osmani, që dorën në zemër nuk mbahet në mend të ketë ndonjë projekt poltik apo risi në politiken kosovare. Krej “projekti” i saj politik që e kemi parë deri tash është një pezm ndaj presidentit Thaci, dhe vetëm kaq.

Pra, kryemnistri tashmë i shkarkuar, lojën e ka filluar në partinë e tij në vitet 2017 e 2018,  ku përmes metodave të linçimit, akuzave të pabaza e njollosjeve, që  rezultoi me largimin e të gjithë atyre zërave ndryshe nga partia  dhe vazhdoi me  kapjen e partisë nga ana e tij. Ashtu e mendoi edhe kapjen e LDK-së. Praktiken e linçimit, sulmit, përçarjes,  nxitjes deri edhe në gjerat që po të mos i kisha parë e dëgjuar nuk do i kisha besuar asnjëherë, e provoi edhe te LDK –ja. Por jo, kësaj radhe i hasi sharra në gozhdë. Pra, pasi e kapi partinë e tij, kryeministri tashmë synim kishte kapjen e LDK-së ose të paktën një pjese të LDK-së, dhe pastaj Shtetin, asgjë e re nga ajo që kemi parë për 20 vite në Kosovë. Por situata i doli nga kontrolli, dhe e prishi punën edhe me LDK-në.

LDK-ja nuk e pranoi poshtërimin përballë kuadrave të saj dhe nuk  rrezikoi  partneritetin e Kosovës me SHBA-të. Tregoi kulturë institucionale e politike duke e ditur kontributin e tyre për Kosovën. LDK –ja rrugë tjetër nuk kishte. Nuk  hyri  në betejen e të pa udhëve.

Kryeministri i shkarkuar  u prish me të gjithë  brenda vendit, me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare, e në fund i doli punë edhe me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkura të Amerikës.

Këtu mbase ishte kulmi që edhe ia ndrrojë statusin nga kryeministër në kryeministër i shkarkuar me mbi 80 vota. Mjafton ta dëgjosh fjalimin e tij dëshpërues që mbajti në seancën e shkarkimit dhe e sheh deri ku ishin shkuar mardhëniet Kosovë-SHBA për 50 ditë qeverisje.

Prishja me LDK-në, si partneri kryesor ishte dështimi i brendshëm. Derisa refuzimi që ju bë kryeministrit në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, ndalja e 40 milionë dollarëve  fonde të Millennium Challenge Corporation (MCC), përplasjet me diplomatët amerikanë, si dhe thirrjet e disa kongresmenëve për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, ishin dështimet më të mëdha në politikën e jashtëme të Kosovës.

Këto ishin dy makro dështimet që krijuan një situatë të re në skenën politike. Përveç paaftësisë për të ndërtuar mardhënie partneriteti me të tjeret në një botë të ndërvarur,  me plotë të drejt mund të themi se ishte dhe një ikje nga përgjegjsia në kohën kur Kosovës i duhen vendime të mëdha.

Sigurisht se më lehtë të kritkosh e vajtosh, duke nxitur mllef e pezm në mes të shqiptarve se sa të marrësh përgjegjësi.

Por, Kosovës i duhet një qeveri e re, e dalë nga votat e një shumice legale e legjitime, pro-amerikane, që e bashkon shoqërinë ndaj temave vitale të vendit. Dhe poashtu, që e ndalë përçarjen në popull, pezmin ndaj njëri-tjetrit  dhe polarizimin e pa nevojshem.

Kosovës i duhet një qeveri që nuk do të vendoste një njeri e as një grup i vogel partiak natën me pezm e inate,  por që bazohet në vendimarrje sa më të gjerë, demokratike, që i nënshtrohet ligjeve dhe kushtetutës, që ndërton ura për Kosovën dhe që ja jep një shansë kësaj shoqërie.

Kuvendi i Kosovës e ka këtë zgjidhje dhe kushtetuta e Kosovës na jep këtë mundësi. Me aq shumë deputetë që votuan shkarkimin, zgjidhja është shpejt e  mundshme.

Mësimi që nxorem nga 6 tetori është që askush nuk mundet vetëm. Por, edhe po të ishte mundësia, nuk do të ishte mirë vetëm.

Kosovës i duhet një kryeministër që e ka emrin BASHKIM!

(Autori është Master ne Politika Publike dhe Menaxhim. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)