Rreziku i informatës në prag të biblikes

Rreziku i informatës në prag të biblikes

Ballsor Hoxha

Deklarimi i kancelares gjermane Merkel para disa javëve, lajmet nga Italia, pamjet e varrezave masive në Iran, etj, janë pika të një historie të rëndë të njerëzimit. Por ne po kalojmë nëpër këtë histori. Ne po e jetojmë këtë histori. Edhepse në momente të kërcënimit ne e marrim këtë si diçka që është “atje larg”, si diçka që “nuk më prek mua”.

Ajo që është e rëndësishme dhe jetike në këtë hapërim tonin nëpër një kohë biblike, si inicim i ndryshimit të botës, është se sëmundja, apo thënë më mirë ankthi nga kjo dramë, ka edhe shkallët e tjera të tragjedisë.

Në tërë historinë e njerëzimit, njeriu përballë situatave jashtë mundësive të tij krijon mekanizmin e tij mbrojtës ndaj po të njëjtës pamundësi. E ky mekanizëm mbrojtës është solidariteti, apo edhe brishtësia. Dhe kjo brishtësi është të besuarit. Të besuarit në çdo gjë që e zbut ankthin, e deri tek themelimi (në histori) i religjioneve apo edhe fuqizimi i tyre.

Në këtë, ka një ritual të njerëzimit, i cili e përcjellë atë, apo thënë më drejtë të cilin e përcjellë njeriu në dramat e tij. Të gjitha shpjegimet të cilat kanë për argument dhe për ideal padrejtësinë e ndarjes së mirëqenies, apo barazimin e ndarjes së mirëqenies, janë solidarizim. Solidarizim i cili projekton një të mundshme përmes heqjes dorë nga realiteti aktual. Të gjitha në të vërtetë janë besime të cilat krijojnë një ideal të të mundshmes mbi realen e jetuar.

Pandemia e Corona virusit është jashtë kontrollit dhe fuqisë së njeriut dhe të njerëzimit. Njeriu është përballë brishtësisë së tij dhe përballë pamundësisë së tij. Në këtë njerëzimi ka zbritur në shkallë edhe më të rrezikshme të kësaj tragjedie të njerëzimit: dorëzimi ndaj të paarsyeshmes, ndaj besëtytnisë, ndaj ireales.

Tanimë në botë është duke u luftuar në dy fronte: kujdesit mjekësor ndaj të sëmurëve, dhe në frontin e luftimit të informatës së rrejshme, besëtyte dhe ireale.

Ajo që është edhe më e rrezikshme në frontin e informatës së rrejshme është se janë pikërisht situata dhe drama si kjo që po e jetojmë, që e ushqejnë më së shumti informatën ireale. Sa më e afërt tragjedia, apo sa më e afërt pamundësia, aq më e vërtetë bëhet bota ireale. Në të vërtetë ajo është zinxhirë thurjeje të ankthit tonë që shndërron realitetin në një botë të besueshme.

Në kohën e mirëqenies njeriu krijon distancë nga tragjedia e tij, edhe si vetëmbrojtje nga dhembja, e edhe në përpjekje për të jetuar më mirë. Si shembull krejtësisht identik është sjellja jonë në raport me luftën, tragjedinë e vuajtur dhe sakrificat që ka kaluar Kosova në një kohë shumë të afërt. Ne tanimë kemi harruar që ishim të deportuar më shumë se gjysma jonë jashtë Kosovës. Ne tanimë kemi harruar se kemi shpëtuar të gjallë, së paku individualisht, nga fati, e jo nga ndonjë mundësi e jona.

Dhe pikërisht kjo distancë e krijuar nga tragjeditë tona na bën të harrojmë si kanë lindur religjionet (p.sh.), si kanë lindur socializmi e komunizmi, si ka lindur vetë mjekësia. Por përshkallëzimi i tragjedisë nëpër të cilën po kalojmë, do ta rikthejë njeriun në shpirtëroren dhe në të çmuarit e jetës, në besim, në kërkim të një shpëtimi prej jashtë reales, dhe prej jashtë të mundshmes.

Lufta e madhe me irealen sot krahas luftës me virusin Corona, edhe si politikë por edhe si sjellje e ankthit të njeriut, është vetë hapërimi i njeriut nëpër këtë kohë të madhe e të rëndë. Në këtë, informata të cilën po e konsumojmë po na ndryshon, po na udhëzon nëpër një sjellje, dhe po na bartë në përvojë dhe kah të përvojës, që as nuk mund ta paramendojmë dhe as nuk mund ta diktojmë.

Informata të cilën po e konsumojmë sot, në tërë dhembjen që ajo bartë, është edhe projektimi I të ardhmes, I ndërtimit të kognicionit tone. Njohjes tone. Sigurisht – në këto dy javët e ardhshme – e që janë kohë më e gjatë njohja jonë do të jetë krahas po të njëjtës përvojë nëpër të cilën po hapërojmë. E informata e bartë këtë përvojë, e interpreton atë pikërisht prej ku edhe është burimi i saj.