VIDEO - Mjekët e infermierët në ballë të luftës kundër Covid 2019
BKT
Lajme

VIDEO - Mjekët e infermierët në ballë të luftës kundër Covid 2019

Ka pranuar ndërrimin nga kolegët e saj dhe po i kryen detyrat e para që i kërkohen. Fetije Kaçurri Hyseni, nga viti 99 është pjesë e infermierëve të Klinikës Infektive në QKUK. Ajo dhe shumë kolegë të saj këto ditë pandemie po bëjnë të pamundurën duke ndihmuar pacientët e prekur me virusin korona.

Infermiere Infermierja Fetije thotë se është nënë e dy fëmijëve. Për shkak të kontaktit me pacientët e prekur, është detyruar që t'i largojë nga shtëpia fëmijët, duke shmangur sadopak rrezikun e infektimit të tyre.

Infermierët janë padyshim heronjtë e ditëve të sotme. Në vijën e parë të frontit ata po përballen me pandeminë e cila po prek shumë persona dhe po merr jetë njerëzish në mbarë botën. Infermieri Fitim Havolli thotë se janë të bashkuar si asnjëherë më parë, duke u bërë hallkë e fortë në luftën kundër covid-19. 

Ndonëse e kryen punën e infermierit në urgjencën e Gjakovës për shumë vjet, këtë herë Mentor Bytyqit i është ndërruar roli. Ai tashmë si i prekur me virusin korona, po merr shërbime mjekësore në Klinikën Infektive nga kolegët e tij.

I prekur me COVID 19 Por trajtim shëndetësor në këtë klinikë, e cila është bërë edhe fokus i mediave këtë kohë, po marrin edhe Emir Bajra - mësues nga komuna e Malishevës dhe Mehedin Gashi profesor në pension nga Kijeva e Malishevës, që të dy të prekur nga Koronavirusi. Ata vlerësojnë lart punën e stafit shëndetësor për gjithë këto ditë pandemie duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre.

Pavarësisht që deri më tani janë të infektuar 6 infermierë, kjo nuk po e zbehë motivin për punë të stafit shëndetësor, në luftim të kësaj të keqeje që po I kanoset njerëzimit. Drejtoresha Lindita Ajazaj thotë se po mbështesin në maksimum infermieret të cilët me shumë përkushtim po e kryejnë punën e tyre. 

Ekipit të infermierëve në Kliniken Infektive i janë bashkuar edhe 10 vullnetarë dhe 17 infermierë të tjerë nga klinikat e QKUK-së. Po ashtu janë trajnuar mbi 500 infermierë të tjerë për përdorimin e pajisjeve të nevojshme për mbrojtje nga Covid-19, të cilët janë të gatshëm për punë kurdo që kërkohet nevoja. Të gjithë njëzëri kanë vetëm një porosi përmes këtyre fotografive ”Mos dilni, qëndroni në shtëpi, ruajeni shëndetin. Ju durimin ne shpresën".


MË SHUME NGA Lajme