Serbia po i shpopullon Shqiptarët në Luginë të Preshevës në nivele alarmant

Serbia po i shpopullon Shqiptarët në Luginë të Preshevës në nivele alarmant

Gjatë vetëm katër viteve të fundit autoritetet serbe kanë fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civilë në komunën e Medvegjes.

E planifikuar nga qarqet më të larta politike në Serbi dhe e ekzekutuar nga Ministria e Puneve te Brendshme te Serbise (MUP-i), fshirja e shqiptarëve nga regjistri civilë është duke shkaktuar një krizë të thellë humanitare dhe politike në Luginë të Preshevës. E njohur ndryshe edhe si ‘pasivizimi i adresave’ të vendbanimit, kjo praktikë diskrimunuese ndaj komuniteti shqiptar në Serbi paraqet një forme diskriminimi të paparë sot në Europë. Kjo për faktin se në momentin kur një qytetari shqiptar i pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe më pas fshihet nga regjistri civilë në Serbi, ai person nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë; nuk gëzon të drejtën e qasjes në shërbime mjekësore ose asistencë sociale; nuk mund të bënë regjistrim të makinës, nuk mund të blejë apo shet pronën, dhe nuk mund të votojë në zgjedhjet lokale ose të përgjithëshme në Serbi.  Çfarë po synon Serbia përmes pasivizimit masovik të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës? Dhe pse po heshtin Tirana dhe Prishtina zyrtare karrshi këtyre zhvillimeve?

E shtrire vetëm 65 kilomtera në verilindje të Prishtinës, Medvegja nuk është një nga ato komunat me popullësi shqiptare që degjoni shpesh për to. Në fakt, sikur të mos ishte ideja për ‘shkëmbimin e territoreve’ dhe paralajmërimin për ‘kompromise të dhimbëshme’ që u plasua në vitin 2018, vështirë se do të keni dëgjuar shumë për shqiptaret në Serbi gjatë 20 viteve të fundit, e të cileve ju referohet sipërfaqësisht si “shqiptarët e Luginës”. Por nëse deshironi të dini sa pak ka ndryshuar qasja politike e Beogradit zyrtar ndaj komunitetit shqiptar, gjegjësisht sa dallon Serbia e Vucicit e viteteve ’90 nga Serbia e Vucicit në vitin ’2020 – ju duhet vetëm të shikoni rastin e komunës së Medvegjës.

Pas mbarimit të luftës në Kosove mbi 100 mijë shqiptarë mbeten të jetonin në Serbi. Si një nga minoritetet më të mëdha në Serbi, një minoritet autokton, shiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës përjetuan shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të tyre themelore qytetare dhe politike në vitet që pasuan. Në vitin 1999, mllefi per humbjen e Kosoves ishte i madh në Serbi, dhe objekti i hakmarrjes shpesh ishin qytetarët shqiptarë e Luginës së Preshevës.

Siç e kanë dokumentuar disa organizatat e pavarura për të drejtat e njeriut në Serbi, shumica e këtyre qytetarëve shqiptarë nuk arritën kurrë të deshmojnë për represionin politik të ushtruar ndaj tyre në vitet pas mbarimit të luftës në Kosovë. Gjykatat në Serbi po i mbyllnin këto raste para se ti hapin, shumë medie po nxisnin sentimente anti-shqiptare, dhe komuniteti shqiptar u vë nën një presion të jashtëzakonshëm. Por, as Prishtina dhe Tirana zyrtare, nuk e dënuan diskriminimin sistemik që po ju bëhej shqiptarëve në Serbi. Nëse dekada e parë pas mbarimit të luftës në Kosovë, ka qenë realisht e vështirë për shqiptarët në tri komunat e Luginës së Preshevës, vitëve të fundit jeta është bërë thuajse e pamundur. Shkak për këtë është një praktikë diskriminuese e quajtur “pasivizimi i adresave” të venbanimit të përhershëm, i cili është kthyer në një për t’i shpopulluar shqiptarët në Lugina e Preshevës.

Në vitin 2011, Serbia miratoj Ligjin për Vendbanim dhe Vendqëndrim. Zyrtarisht, autoritetet serbe e arsyetojnë miratimin e këtij ligji si të domosdoshëm për pastrimin e listave votuese në Serbi. Asaj kohe, entuziastët e këtij ligji në qarqet politike serbe si dhe diplomatët ndërkombëtarë në Beograd e pershëndesin miratimin e këtij ligji duke theksuar ndër të tjerat se pastrimi i listave të votuesve do të parandalon manipulimin me vota dhe kështu do të forcohet demokracia serbe. Por brenda një kohe të shkurtër, siç do të zbulohet më pas ky ligj do të instrumentalizohet kryesisht për të diskriminuar minoritetin shqiptar në Luginë të Preshevës. Komuna e Medvegjës, e cila ka pasur gjithëmone popullësi të konsiderueshme shqiptare –por jo shumicë absolute si Presheva dhe Bujanoci – do të vihet veçanërisht në shenjester. Në komunën e Medvegjës, vetëm në periudhën 2015 – 2019, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka fshirë  mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civilë. Pasojat kanë qenë fatale për komunitetin shqiptar të kësaj komune.

Si u Instrumentalizua Ligji për Vendbanim dhe  Vendqëndrim për Shpopullimin e Shqiptarevë në Sërbi?
Ligji për Vendbanim dhe Vendqëndrim, nenin 18 i këtij ligji respektivisht, i jep kompetenca organeve shtetërore serbe që të bëjnë verifikimin e adresave të përhershme e vendbanimit. Duke u thirrur në këtë ligj, personeli i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë ka të drejtë të verifikojë nëse një banorë shqiptar jeton në adresën e dhënë si adresë e përhershme e vendbanimit.

Sipas ligjit në fjalë nëse gjatë verifikimit të adresës së vendbanimit qytetari nuk gjendet në shtepi, atij personi i pasiviziohet adresa e përhershme e vendbanimit. I lëshohet një vendim dhe i jipet një periudhe kohore vetëm prej 8 ditesh për të bërë ankesë në zyret lokale të MUP-it. Si qytetar shqiptar ti mund të jesh në trajtim mjekësor dikund në spitale të Serbisë, ose në vizitë tek familjarët jashtë vendit, ose në atë moment thjeshtë mud të mos qëllosh në shtëpi—gjitha këto fakte nuk çojne peshë për personelin e MUP-it të Serbisë.

Problemi tjetër kardinal me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi është se nuk lëshohen fare një vendim me shkrim që dëshmon se ju është pasivizuar adresa. Në shumicën e rasteve, sidomos viteve të fundit, kjo informatë u jipet vetëm gojarisht qytetarëve shqiptarë në Medvegjë. Madje, shumica e qytetarëve shqiptarë e kanë kuptuar se janë pasivizuar krejt spontanisht: zakonisht kur kanë shkuar te mjeku ose kur kanë shkuar të bëjnë pagesën e tatimit mbi pronë. Përgjigjen standarde që ata marrin në këto ente është ‘shkoni lajmërohuni në stacionin policor’.

Moslëshimi i vendimeve për pasivizim të adresave të shqiptarëve në Serbi nuk është një rastësi. Ai ka për qëllim që t’i parandalojë shqiptarët me adresa të pasivizuar që të fillojnë procese ligjore kundër Sërbisë për shkelje të rëndë të drejtave të tyre dhe diskriminim sistemik që po ju bëhet në baza etnike. Është i njohur fakti se, Gjykatat në Serbi, kanë një rekord konsistent në aktgjykimet e tyre për rastet ku komunitetet minoritare e padisin shtetin serb. Ato thuajse gjithnjë vendosin në favor politikes zyrtare shtetërore serbe.  Ndërsa arsyeja më e shpeshtë që japin se përse kanë vendosur kundër parashtruesit të kerkesës nga radhët e minoriteteve është mungesa e mjaftueshme të deshmive.

Procesi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë është një proces Kafkaesk. Ai ka për qëllim që t’i zhytë qytetarët shqiptarë në procese ligjore të cilat asesi nuk guxojnë t’i kalojnë instancat më të larta juridike në Serbi, sepse kjo ju hap atyre rrugën për ta paditur Serbinë në Gjykatën Europiane për të Dreja të Njeriut në Strasburg. Dhe njëkohësisht, synohet që brenda vetë Serbisë ky process të bëhet aq arbitrar, aq I paparashikueshëm, sa të bëjë jetën e shqiptarëve të pamundur dhe padëshiruar në Luginë të Preshevës.

Shqiptarët e Medvegjës në Shenjestër të Pasivizimit Masovik të Adresave: Përse Pikërisht Medvegja?
Në vitin 2016, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, një ndër organizatat më prestigjioze për të drejtat të njeriut bënë një studim mbi pasivizimin e adresave në Serbi. Komuna e Medvegjes del të jetë komuna me numrin më të madh të adresave të pasivizuara në tëre Republiken e Serbise, dhe ky raport thekson se personat të cilëve ju kanë pasivizuar adresat kanë qenë kryesisht qytetarë shqiptarë.
Sipas ketij raporti, vetëm në vitin 2016, në komunë të Medvegjes janë pasivizuar gjithësej 539 adresa. Diskrimini përmes pasivizimit të adresave të venbanimit ka qenë fatal për komunitetin shqiptar ne Medvegjë dhe kjo praktikë diskriminuese ligjore është duke shkaktuar krizë të thellë humanitare edhe politike. Për shembull, personave me adresa të pasivizuara dhe me sëmundje kronike u refuzohet trajtimi në ente shendetësore edhe pse posedojnë leternjoftime valide dhe sigurim shëndetësor. Po ashtu, qytetarëve të cilëve ju skadon letërnjoftim nuk ju lejohet të marrin letërnjoftim të ri ose pasaportë. Kjo situatë dëshpruese i ka shtyrë shqiptarët e Luginës së Preshevës të marrin vendbanim të perkohshëm në Beograd ose Novi Sad, vetëm e vetëm që të mund të regjistrojnë makinën e tyre ose te marrin pasaportë të re. Ndryshe nga komuna ku janë lindur dhe ju pamundësohet marrja e dokumenteve, në Novi Sad dhe Beograd i marrin pa asnjë problem.

Pasojat e Pasivizimit të Adresave të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës
Si pasojë e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, për herë të parë prej se është themeluar komuna e Medvegjës, nga shtatori i vitit 2019 shqiptaret e Medvegjes nuk janë më pjesë e qeverisjes lokale. Në zgjedhjet e fundit lokale ata fituan vetëm 3 asambleistë në kuvend komunal. E tërë kjo është rezultat I pasivizimit të adresave të shqiptarëve. Pra, i shlyerjes se 4 mijë shqiptarëve të Medvegjës nga Regjistri Civilë në Serbi vetëm për periudhe 2015 -2019.
Pas rezultateve te zgjedhjeve ne vitin 2015, ministri i brendshëm i Sërbisë dhe nënkryetari i partisë së Aleksandër Vucicit, Nebojsa Stefanovic, deklarohet me tone triumfaliste dhe qartë: “ky rezultat i zgjedhjeve dëshmon se Medvegja është komune serbe” dhe “përpjekjet për ti sjellë shqiptarët me autobusë e pa dokumente valide nga Kosova për të votuar në Medvegjë u ndalën”.

Përkundër këtij diskriminimi sistemik të shqiptarëve në Medvegjë e Luginë, as Prishtina e as Tirana zyrtare nuk janë deklaruar asnjëherë për këto ngjarje. Kërkesat dhe dëshmitë e qytetarëve shqiptarë nga këto komuna drejtuar tyre nuk kanë munguar.
Diplomatët ndërkombëtar në Beograd e kanë theksuar disa herë në kushte anonimiteti se diskriminimin sistemik të shqiptarëve në Serbi e kanë mundësuar edhe Prishtina e Tirana. Por sipas të gjitha gjasave ato nuk do të mund të heshtin edhe gjate: pasivizimi i adresave është intensifikuar dukshëm vitin e fundit në Bujanoc edhe Preshevë. Po ashtu, muajt dhe vitet në vijim do të dëshmojnë se shpopullimi i shqiptarëve të Luginës ka qenë një mekanizëm për të luftuar edhe shtetësinë e Kosovës. E tërë kjo do të bëhet e qartë kur Prishtina dhe Beogradi do të ulen të flasin për çeshtjen e pronave—në kuadër të kapitullit 35.

(Dr. Flora Ferati-Sachsenmaier është
Bashkëpunëtore Shkencore, Instituti Max Plank për Studimin e Diversitetit Fetar dhe Etnik)

Autor: Dr. Flora Ferati-Sachsenmaier*