U rrëzua me 2/3 e votave - VV duhet ta respektojë verdiktin

U rrëzua me 2/3 e votave - VV duhet ta respektojë verdiktin

Adri Nurellari

Edhe pse mbi 2/3-at e parlamentarëve votuan për ta rrëzuar, qeveria e shkarkuar po vazhdon të sillet me arrogancë me shtetin duke marrë vendime të rëndësishme, duke shkarkuar funksionarë të rëndësishëm të cilët i ka zëvendësuar me militantë. Kryeministri në ikje nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgje, por duhet ta kuptojë se drejton një qeveri në dorëheqje, që vetëm mund të merret me mirëmbajtje dhe garantimin e funksionimit normal të institucioneve deri sa të vij qeveria e re.

Po ashtu është e turpshme që Lëvizjë Vetëvendosje thirret në emër të popullit popull me anketa të kurdisura si dhe me zhurmë të rrjeteve sociale që janë të sponsorizuara. Aq më pak nuk mund të konsiderohet si zë i popullit zhurma e shkaktuar nga enët e ballkoneve, të cilat sa më bosh të jenë aq më shumë zhurmë bëjnë. Ne jemi në demokraci përfaqësuese ku populli e ushtron pushtetin e vetë surprem përmes përfaqësuesve deputetë të zgjedhur në zgjedhje të lira e të ndershme. Pra në sistemin tonë vullnetit politik është shprehur nëpërmjet votës së deputetëve të Kuvendin e Kosovës e askush tjetër nuk ka të drejtë morale e juridike të flasi në “emër të popullit”.

Për më tepër, duhet theksuar se kryeministri i shkarkuar Kurti ka akoma më pak të drejtë morale të flasë më në emër të popullit për faktin se në historinë e demokracisë së Kosovës ka thyer rekordin për sa i përket numrit të deputetëve që kanë votuar për ta dëbuar. Pra është i fundit kryeministër në largim që ka legjitimitet të mburret apo të marrë vendime sepse është hera e tretë që votohet me sukses një mocion votëbesimi në Kosovë dhe ky kundër Kurtit ka marrë më së shumti.

Bëhet fjalë për 82 vota kundër formalisht në bazë të proces-verbalit të kryetares Osmani, por në realitet kanë qenë së paku 84 vota (sepse të pranishëm të deklaruar ishin 117 deputetë, 32 votuan kundër dhe 1 abstenim i bie që 84 kanë qenë pro). Me 2/3 e votave të deputetëve ku përfshihen edhe 2/3 e votave të pakicave, mundet të ndryshohet edhe Kushtetuta dhe të shkarkohej edhe kryekuvendari, e jo më të hiqej qeveria.

Në historinë e demokracisë së Kosovës ky është një rekord i votave të dhëna për dëbimin e një qeverie. Kundër qeverisë së drejtuar prej Vetëendosjes, kanë votuar jo vetëm partnerët e dikurshëm të LDK-së, por edhe ish-partnerët e komuniteteve të tjera etnike.

Mocioni i parë i votëbesimit ka qenë ai i paraqitur nga Aleanca Kosova e Re në 02 nëntor 2010 dhe është mbështetur me votat e 66 deputetëve ndërsa i dyti ishte ai i 10 maji 2017 pro të cilit kanë votuar 78 deputetë. Dy legjislaturat e para të pasluftës në Kosovë ishin trevjeçare e përfunduan në mënyrë të rregullt ndërsa kemi pasur edhe rastin e vitit 2014 kur parlamenti u përmbyll para kohe duke votuar vetëshpërndarjen.

Pra në të tilla rrethana, Lëvizja Vetëvendosje, dhe kjo qeveri e shkarkuar me numrin më të madh të votave që janë dhënë ndonjëherë kundër një qeverie, duhet të tregojë më shumë modesti, përultësi, vetë-përmbajtje dhe ta respektojë verdiktin e rëndë e pa ekuivok të demokracisë.