Policia e Kosovës arreston personin, kishte fyer viktimën e dhunës seksuale
Policia e Kosovës ka arrestuar në Drenas një person i cili dyshohet të ketë bërë komente fyese ndaj një femre të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Kjo është bërë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
“Me datën 21.04.2020 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili në një portal informativ kishte bërë komente fyese ndaj një femre të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.
Ditë më parë, i dyshuari, në një prej portaleve informative, në faqe të facebook-ut i kishte thënë prostitutë njërës prej të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Komenti kishte ardhur pasi viktima kishte reaguar ndaj veprimit të qeverisë së Kosovës për pranimin e 1000 testeve për Covid-19 nga Serbia.
Pas kësaj kishte reaguar edhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e cila kishte shkruar se turpi është mbi ata që vazhdojnë t’i stigmatizojnë viktimat e dhunës seksuale.
Jahjaga, edhe njëherë, i ka quajtur ato heroina dhe krenari e vendit.
“Përderisa ne fituam shumë beteja, trupi juaj u shndërrua në fushëbetejë. Përderisa të gjithë ne e gëzuam lirinë dhe pavarësinë, ju ende vazhdoni të jetoni në heshtje. Turpi nuk është mbi Ju! Turpi është mbi ata/ato që vazhdojnë t'ju stigmatizojnë. Ju jeni HEROINAT tona, jeni krenaria jonë! Turp të ju vie atyre, që për qëllime dhe përfitime të tjera mundohen të përfitojnë mbi sakrificën tuaj. Turpi s'paska fund”, kishte shkruar Jahjaga.























