Kurti kapërcen procesin demokratik, këshilltari i tij kapërcen drejtësin

Kurti kapërcen procesin demokratik, këshilltari i tij kapërcen drejtësin

Shkruan: Migjen Kelmendi

Se çka domethanë me u vra si civil i pafajshëm, me u dhunue si grue e çikë e re teenager’e, me u egzekutue para familjareve dhe me u dhunue çika para nanës, e grueja para burrit, nga makineria militare e Serbisë së udhëhequn nga krimineli Milosheviç, askush ma mirë nuk e din se populli shqiptar, ai boshnjak e ai kroat në ish Jugosllavi.
Pikërisht nga kjo përvojë e hidhun historike e jona, ishte Kuvendi i Republikës së Kosovës, ku u aprovuen vendimet për krijimin e Dhomave të Posaçme, për me i shkue deri në fund të gjitha vrasjeve që ndodhen në këtë truall.
Dhe, njashtu si Kurti që i jep të drejtë vetës të flasë dhe të dalë mbi procesin demokratik të Kosovës, tue  e interpretue votimin në Kuvendin e Kosovës me 82 vota për shkarkimin e tij si “vendim kundër përfaqësuesit të popullit”, njashtu edhe këshilltari i tij, i jep të drejtë vetës të dalë dhe të flasë në vend të drejtësisë së Kosovës, dhe asaj ndërkombëtare, tue e marrë rolin edhe të prokurorit, edhe të gjykatësit edhe të egzekutorit.
Këshilltari i Kurtit, adreson, paragjykon dhe përgjitheson vrasjet e ndodhuna në Kosovë, tue akuzue Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa e kuptue se në drejtësi nuk egziston faji kolektiv, por se faji gjithmonë asht individual. Ky person, i paraprinë proceseve gjyqësore, pa e prite verdiktin e drejtësisë, dhe shfryn mllefin e tij ndaj krejt formacionit historik ushtarak të popullit të Kosovës - Ushtrisë Çlirimtare të saj - tue e adresue si “vrasëse”.

Arsyetimi historik i nevojës që Kosova ta ketë Ushtrinë Çlirimtare të saj asht - liria e Kosovës. Fakti që dokumenton domosdonë e egzistencës historike të UÇK-së asht kjo liri, ku edhe nji kësi personi, si ky këshilltar i Kurtit, gëzon lirinë me paragjykue e kualifikue me mendjelehtësi të turpshme.

Tapia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës asht - liria e Kosovës. 

Dhe ky asht fakt i pakontestueshëm historik.
Por, ky asht keshilltar i Albin Kurtit, që për 50 ditë udhëhoqi qeverinë e cila e dëshmoi dhe e dokumentoi vetën si Anti-amerikane, Anti-demokratike dhe tashti edhe si Anti-UÇK.

Vetiu lind pyetja: çka asht fundi i kësaj avanture të kësaj force politike si Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin?

A mos duhet që në fund të këtij tregimi të Albin Kurtit, këshilltareve dhe partisë së tij, Kosova me i kërkue falje Serbisë dhe me e lutë me na pranue mbrapa në gjinin e saj (siç!)
Ndoshta reagimet e medias në Serbi, si ky poshtë, flasin ma saktë!