Hoti: Gjuha shqipe është vlera më e madhe që kanë shqiptarët
BKT
Kulturë

Hoti: Gjuha shqipe është vlera më e madhe që kanë shqiptarët

Rexhep Hoti : "Parapëlqej të them atë që ndjej dhe mendoj përbrenda dhe këtë më së miri e bëj nëpërmjet shkrimit. Aty e gjej veten në një hapësirë të rehatshme dhe në një botë që e konsideroj timen.

Keni studiuar Letërsi dhe Gjuhë në Universitetin e Prishtinës që do të thotë se jeni një njohës i mirë i vlerave të saj. Si e përjetoni lidhjen me gjuhën në vetvete? Sa zbaviteni me format e saj?

Rexhep Hoti: Gjuha. Sa bukur! Të më pyesni për gjuhën do të thotë më pyesni për jetën e shkronjave që krijoj. Për fjalët që bartin kuptimin e veçantë artistik, mendoj. Gjuha shqipe sipas meje ka tre shtylla të fuqishme ndaj së cilës duhet të përkulemi në çdo mbrëmje e mëngjes, jo vetëm ne që e flasin, por edhe të tjerë:

E para, gjuha shqipe është pasuria dhe vlera më e madhe që kanë shqiptarët. Nderimi, përkushtimi, dashuria dhe një varg nocionesh tjera janë të pamjaftueshme për ta kuptuar peshën e saj. Mendoj se shqiptarët e sotëm, më lejoni ta përdor një fjalë të padenjë për vlerësim, janë ‘sharlatanë’ përballë fuqisë dhe vlerës së saj;

E dyta, ajo është ndër gjuhët e para të popujve të botës. Pra, ajo është gjuhë që kur lindi qytetërimi. Si e tillë, bartë me vete edhe gjurmët dhe shpirtin e saj në lindje të parë. Sado që jemi ende në fillimet e shumë hipotezave, ka hapësirë të pashkelur dhe shumë shpresëdhënëse për t’i dhënë kuptim kulturave të para të lashta të komunikimit, shumë shkrimeve të vjetra pikërisht nëpërmjet gjuhës shqipe. Mendoj se do të vijë koha kur nëpërmjet gjuhës shqipe do të ndryshohet shpjegimi i sotëm i historisë mbi popujt e kulturat e lashta parakrishtere e më pas dhe

E treta, gjuha shqipe ofron mundësi të jashtëzakonshme të bartjes së mendimit artistik dhe mendimit në përgjithësi.

Dashuria juaj e parë gazetaria. Keni themeluar gazetat e përditshme «Infopress», «Tribuna shqiptare», «Sport» dhe revistën «IPmagazinë». Si ju rriten nga ana profesionale këto aktivitete?

Rexhep Hoti: Shumë vite para Infopress-it, në vitet e 80-ta m’u dha rasti ta drejtoja revistën studentore «Fundamenti» në kuadër të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, sepse në atë kohë përveç gjuhës dhe letërsisë, studioja edhe biologjinë. Isha kryeredaktori i saj dhe ishte gazeta e parë e studentëve që doli e shtypur në një shtypshkronjë. Atë kohë ekzistonte një gazetë dyjavore e studentëve «Bota e re», por ajo ishte e kontrolluar praktikisht prej shtetit komunist. Më pas në fund të viteve 90-ta, së bashku me filozofin e madh shqiptar, Ukshin Hotin, për një kohë të shkurtër punuam në revistën «Alternativa» në Lubjanë dhe më pas po aty e themeluam gazetën «Demokracia Autentike». Aty mora hapat e parë të gazetarisë së mirëfilltë. Më pas, me ardhjen e Lirisë në Kosovë themelova një varg gazetash dhe revistash, siç i përmendët ju disa prej tyre, prej të cilave, e kisha një qëllim të dashuruar: ta krijoja gazetarinë e shqiptarëve jashtë mendësisë së shkollës jugosllave apo asaj enveriste. Të themi me kujdes, një gazetari me identitet shqiptar europian, çfarë edhe realisht janë shqiptarët, me ose pa Bashkimin Europian si koncept dhe kontratë ekonomike dhe politike. Në këtë drejtim kisha ndikimin dhe punë për afro dy dekada të dy njerëzve të mëdhenj të kombit, siç ishte Ukshin Hoti dhe Ismail Kadare.

Keni publikuar mjaft libra: «Visore të shthurura», «Nata e Kosovës», «Tempulli i fjalës», «Kosova përballë vetvetes», «Pesha e konsensusit», «Përzierje e trishtë», «Gjenitë dhe drama e Kosovës», «Flirti civil dhe ambasadori», «Ndëshkimi i kujtimeve», «Monologu i prijësit» dhe i fundit është një libër me poezi, quhet « Këmbana e heshtjes ». Si është lidhja juaj ndër vite me librin dhe poezinë?

Rexhep Hoti: Mbaj mend që poezitë e mia të para i kam shkruar rreth moshës 11 vjeçare. Aty ka nisur rrugëtimi im me poezinë. Më pas rreth moshës 13-14 vjeçare m’u duk më e lehtë të shkruaja dramë. Më vonë u zhyta thellësisht në botën e leximit dhe një kohë të gjatë nuk shkrova asgjë. Më duket nuk shkrova asgjë gjersa nuk u njoha me veprat kryesore të letërsisë së përbotshme. Rrugëtimi im me Ukshin Hotin nga vitin 1985 e derisa ai u mbyll në hekura në burgjet e pushtuesit, ndryshoi gjithçka në jetën time. Në romanin «Nata e Kosovës» jam munduar ta ngarkoj nëpër shkronja shpirtin e një Prometheu të gjallë të Europës, e cila ishte aq shpërfillëse ndaj tij, por, dorën në zemër, jo aq sa ishin shqiptarët dhe establishmenti i tyre.

Fati im i krijimit është fati i kombit tim. Por, në këtë kontekst e kam parë edhe lidhjen e komunikimit me botën. Në radhë të parë me kontinentin tim, ndaj të cilit jam vazhdimisht i zhgënjyer, po aq sa jam i mllefosur me vendin tim. Pakënaqësia ime me hapësirën që e njoh si një mundësi është estetike. Sepse nuk mund ta rris goditjen time ndaj kontinentit tim, fjala vjen, më shumë sesa ndaj shqiptarëve të mi të shpërbërë, të shkërmoqur pas lavdive nëpër hapësira që realisht, as nuk ju kanë takuar e as nuk kanë pasur kapacitete për t’i drejtuar. Investimi i shqiptarëve të mi gjithmonë jashtë hapësirave shqiptare është një sëmundje e vjetër. Vogëlsia e tyre bëri gabime të mëdha. Ndonjëherë simpatike, por në të shumtën e rasteve tragjike.

Krijimet e mija lidhen pashmangshëm me ndërgjegje individuale, kombëtare, kontinentale e botërore. Natyrisht, imagjinata e krijuesit gjithmonë ngacmohet edhe nga format ndërmjet fantazisë dhe të vërtetës. Veprat e mia kryesisht kanë pasur tematikë realiste të veshur me imagjinatën krijuese. Parapëlqej të them atë që ndjej dhe mendoj përbrenda dhe këtë më së miri e bëj nëpërmjet shkrimit. Aty e gjej veten në një hapësirë të rehatshme dhe në një botë që e konsideroj timen.

Për herë të parë i prezantoheni lexuesit italian me një libër me poezi. Çfarë do të gjejnë ata në poezinë tuaj?

Rexhep Hoti: Kam përshtypjen se poezia tingëllon shumë bukur në gjuhën italiane. Një ditë mendova, epo, përse të mos e provoj. Sigurisht, për këtë pata shtytjen edhe të miqve të mi të cilët vlerësuan se poezia ime mund të mirëpritet në djepin e artit e kulturës. Në dedikimin e librit “Këmbana e heshtjes” kam shkruar: Atyre që dashurojnë pa moshë, e që e ndjejnë thellë peshën e viteve!. Pa dyshim, lexuesi italian që në faqet e para të librit e kupton se është një libër për dashurinë, për humbjen, për lashtësinë e të sotmen. Lexuesi italian aty mund ta ndjejë diçka për Skënderbeun, për lashtësinë antike greke e romake, për letërsinë shqipe, por edhe për jetën e përditshme të një kosovari.

Mendoni të publikoni në të ardhmen vepra të tjera në italisht?

Rexhep Hoti: Do të shoh si do të pritet vepra ime atje, dhe po që se italisht-folësit janë të gatshëm të më lexojnë, unë do të jem më i gatshëm t’u flas në gjuhën e tyre. Tanimë libri im gjendet në formatin elektronik dhe në kopje fizike nëpër libraritë më të njohura në Itali siç janë Amazon, Kimerik, La feltrinelli, IBS.it, Mondadori.

Do të dëshiroja t’i ofrojë lexuesit italian krahas romanit edhe krijimet poetike që ndërlidhen me vetë Italinë. Në radhë të parë këtu kam parasysh poemat: «I humburi në Venecia», «Roma», të cilat gjenden në librin “Ndëshkimi i kujtimeve”. Ju mund ta dini se lufta e parë e madhe brenda qytetërimit europian ndodhi ndërmjet stërgjyshërve tanë dhe stërgjyshërve të latinëve, siç u thonë abreshët italianëve. Nuk jemi rastësisht fqinj!


MË SHUME NGA Kulturë