Oficeri rus i inteligjencës, nuk i përmbahet marrëveshjes
Majori i njërit prej shërbimeve ruse të inteligjencës, FSB, Sergej Renkas, akuzohet se ka vjedhur nëntë qilima, punë dore, të Dagestanit, me vlerë prej rreth 6.5 milionë rubla ruse.
Sipas të përditshmes ruse “Kommersant”, ngjarja kishte ndodhur në vitin 2018, kur majori Renkas kishte kontaktuar me përfaqësuesin e “Unionin artizanal të Dagestanit”, Resul Haxhiyibragimov, me ç’rast për nevoja të FSB-së i kishte kërkuar nëntë qilima punë dore, të kualitetit të lartë. Së pari, qilimat duhej të dërgoheshin të si mostër dhe pagesa do të bëhej më vonë.
Majori Renkas i kishte premtuar Haxhiyibragimovit se, përveç kontratës me FSB-në, do të sigurojë edhe blerës të tjerë nga radhët e deputetëve të Dumës së Rusisë, zyrtarëve qeveritarë si dhe do t’i ndihmonte në organizimin e një ekspozite për produktet e “Unionin artizanal të Dagestanit” në Forumin ekonomik në Vladivostok.
Mirëpo, majori i FSB-së, Renkas, pasi i pranoi qilimat nuk iu përmbajt marrëveshjes dhe deri më tani “Unionin Artizanal të Dagestanit” nuk i është bërë as pagesa nga FSB-ja ruse si porositës i qilimave, e asnjëri nga premtimet e dhëna.
Pasi nuk ishte bërë pagesa Haxhiyibragimov, si përfaqësues i “Unionin Artizanal të Dagestanit” i është drejtuar Gjykatës supreme në Moskë, duke dorëzuar të gjithë dokumentacionin në lidhje me blerjen e qilimave nga FSB, ku si porositës në emër të FSB-së figuronte majori Renkas.
Pas interesimit të gazetës Kommersant në lidhje me implikimin e majorit të FSB-së në vjedhjen e nëntë qilimave, gjykata ka njoftuar se për shkak të pandemisë së koronavirusit nuk dihet se kur do të filloj procesi, pasi që vetëm rastet urgjente janë duke u trajtuar nga kjo gjykatë.
Rastet e keqpërdorimeve nga strukturat e sigurisë në Rusi nuk janë të pakta, por për shkak të censurës që mbretëron në mediat ruse, vetëm një pjesë e vogël e këtyre keqpërdorimeve bëhen publike për opinionin rus.























