Marr peng në totalitet nga politika

Marr peng në totalitet nga politika

Ballsor Hoxha

Politika është e pandalshme, këtë e dëshmon “historia” e pafundme që është prodhuar për vetëm disa muaj. Politikë totale. Agresion në jetët tona.

Politika është prodhim i vetes së saj – pandalshmëri e politikës, dhe kjo na kanë marrë peng të narcisizmit të saj. Nën agresionin e politikës na duhet të harrojmë jo vetëm pandeminë, por edhe bankrotimin e zhdukjen e ekonomisë sonë. Shkollave e fëmijëve tanë. Në të vërtetë ajo ka marrë peng jetët dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë.

A nuk është e çuditshme, kur e vëzhgon me kujdes sjelljen e shoqërisë sonë, që nga liria e 1999 e deri sot në tragjedinë globale, megjithëse i kemi të gjitha burimet dhe mundësitë e lirisë dhe të demokracisë, dhe aq më shumë të hapjes, ne mbyllemi, izolohemi, edhe të karantinizuar izolohemi në politikë. Politikë totale, në një shoqëri totalitare. Totalitet politike.

A nuk është e çuditshme, nën pasigurinë më të madhe të gjithë njerëzimit ne jemi totalisht të obsesionuar në korridoret dhe tunelet e politikës. Zgjedhje, mocion mosbesimi, votime, ndërrime, koalicione, prishje koalicionesh, e mbi të gjitha tërësisht të helmuar në obsesionin tonë me politikën. Të përçarë. Të bllokuar dhe duke hapëruar drejt të keqes edhe më të madhe.

Përçarja, në tërë historinë e shqiptarëve të pavarur, prej ndarjes ndërmjet ilegales, “kundërrevolucionarëve”, dhe jugosllavëve; pastaj ndarja në mes të luftës ndërmjet paqësorëve dhe luftëtarëve; pastaj përçarja e vetë UÇK-së gjatë bisedimeve të Rambujesë, ndarja dhe refuzimi i njëri tjetrit, përçarja në kohë tragjedie globale sot, është duke veçuar shoqërinë në vetëm dy mundësi, dy ekstreme. Po e njëjta është edhe në Shqipëri, bllokimi në dy parti, të majtën dhe të djathtën të përhershme, që as nuk krijon dinamikë konkurrence, as reflektim ndaj njëri tjetrit, por gjithnjë thellohet në krisje dhe paaftësi të shoqërisë. Po e njëjta ka ndodhur që nga fillimi i pavarësimit të shqiptarëve nga perandoria otomane, dhe po vazhdon, në të vërtetë po thellohet më tutje.

Argumenti i politikës sot, që 24 orë në ditë prodhon histori që as vetë nuk e konsumonë (Churchil), se jemi para dramës së pavarësisë sonë, zgjedhjes së konfliktit tonë me Serbinë. Apo se jemi të kushtëzuar nga Amerika. Kjo e tëra është argument për kapitalizim të historisë, të përgjegjësisë, të rëndësisë. Kapitalizim të shoqërisë sonë. Ky argument në të vërtetë është narcisizmi i saj.

Në të vërtetë politika, partitë, dhe shndërrimet, edhe sot, janë agresion. Agresion ndaj vetëdijes kolektive. Në të vërtetë dinamikës së jetës tonë. Pengmarrje dhe minimalizim i pandalshëm i lirisë sonë.

Agresioni i politikës ndaj jetëve tona, është, në të vërtetë, në ikjen e njërës parti nga tjetra. E ‘leçitjes’ së njërit nga tjetri. Paaftësimit të fuqisë sonë (siç ka thënë kryetari i Drenasit – Forca bën fuqinë). Shembull: të gjitha këto parti ulen në të njëjtat ulëse të parlamentit tonë. Të gjitha janë zgjedhja e popullit tonë. Të gjitha akuzojnë njëra tjetrën për krimet dhe korrupsionet më të rënda, pavarësisht se janë aty nga ne. Në të vërtetë thirren në ‘sovranin’, në ne, derisa ‘leçitin’ po ata që i ka zgjedhur sovrani. Në këtë, kjo do të thotë se vetë populli është “kriminel” dhe i “korruptuar” dhe se ne jemi ata që e kanë fajin. Ky është agresioni.

Një maj, tragjedi e rëndë në të gjithë ne, jemi pa ardhmëri, së paku me ardhmëri të pasigurt, por politika është në ethe. Pret të kapitalizoj edhe një muaj të jetës sonë, deri në muajin e radhës kur do të prodhoj një histori të re për të kapitalizuar. Kjo do të ndodh qysh nesër, të shtunën e 2 majit 2020. E ne të marrë peng, totalisht, do të dëgjojmë argumentin e përhershëm të politikës, prodhimin e vetes së saj.