PDK: Letra e Kurtit presion i hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate e ka dënuar ashpër siç e ka quajtur kjo parti "kërcënimin e kryeministrit të shkarkuar, Albin Kurti ndaj Gjykatën Kushtetuese".
"Letra e dërguar prej kryeministrit të shkarkuar Kurti, është një shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve. Teksti i asaj letre duhet konsideruar si një cenim i rëndë i pavarësisë së institucionit më të lartë të vendit që bën interpretimin përfundimtar të aktit themeltar të shtetit të Kosovës", thuhet në reagimin e PDK-së.
Tutje sipas këtij subjekti politik "ky sulm nuk është rast i shkëputur, por është vazhdimësi sulmeve nga më të ultat që Kurti dhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje, kanë bërë gjatë viteve të kaluara ndaj këtij institucioni kaq të rëndësishëm të shtetit tonë".
"Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që e ka sulmuar shumë herë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, por edhe kanë vënë precedentin e rrezikshëm të mos-zbatimit të një vendimi të marrë prej saj, sikurse ndodhi me aktgjykimin e dhënë prej saj në datën 31 mars 2020. Ajo ka organizuar sulme edhe individualisht ndaj gjyqtarëve", thuhet tutje në komunikatën e PDK-së.
Sipas PDK-së tendenca për të ndikuar përmes kërcënimit, shantazhit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në vendimit e institucionit të Gjykatës Kushtetuese por edhe të institucioneve të tjera të pavarura, është tashmë një praktikë e njohur e Lëvizjes Vetëvendosje.
"Prandaj Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kryeministrit të shkarkuar Kurti, që të heq dorë nga presionet, sulmet, hakërrimet apo kërcënimet që është duke i bërë Gjykatës Kushtetuese dhe kujtdo institucioni tjetër të pavarur", thuhet tutje në reagim.
PDK ka ftuar të gjitha partitë politike dhe institucionet shtetërore që të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese pa përjashtim, duke respektuar pavarësinë dhe autoritetin e këtij institucioni.
Sipas PDK-së "vetëm në këtë mënyrë mund të mbrojmë rendin demokratik dhe kushtetues të shtetit tonë dhe të garantojmë sundimin e ligjit në Kosovë".























