Kurti paralajmëron zbutjen e masave, por kërkon kujdes nga qytetarët
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka rikujtuar se sot janë bërë 50 ditë nga rasti i parë i virusit Corona në Kosovë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti ka falënderuar të gjithë kontributdhënësit që kanë ndikuar që të normalizohet gjendja në Kosovë, teksa ka theksuar se kjo erdhi edhe falë masave të marra më 15 prill. Megjithatë, ai ka kërkuar kujdes edhe në vazhdim, pasi rreziku nuk ka kaluar ende.
Shkrimi i plotë i Kurtit
Sot janë bërë 50 ditë nga rasti i parë i virusit Corona në Kosovë.
Duke ju falënderuar Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, forcave policore, dhe të gjithë mjekëve, infermierëve, dhe vullnetarëve, gjendja epidemiologjike në Kosovë ka filluar të normalizohet, sidomos për shkak të vënies së masave më të fundit parandaluese të 15 prillit.
Edhe pse më shumë teste janë duke u administruar javët e fundit, gjithnjë e më pak qytetarë po rezultojnë të infektuar me virusin Corona. Kemi më pak raste të infektimeve, më shumë raste të shërimeve, dhe si rezultat, numri i rasteve aktive ka marrë kahje të dëshiruar.
Si gjithnjë, vazhdojmë me kujdes dhe pa panik. Rreziku nuk ka kaluar ende. Por falë bashkëpunimit të të gjithëve, jemi në gjendje që të nisim lehtësimin gradual të masave në fuqi. Ju lumtë!























