Hyseni: Mësimi online i domosdoshëm por me shumë mangësi,PISA të mos mbahet
Eksperti i çështjeve arsimore në Kosovë, Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse viti shkollor përfundon vetëm në bazë të mësimit në distancë, pasojat do të jenë të pariparueshme dhe dëmet do të jenë të jenë të mëdha.
Hyseni në intervistë thekson se është naivitet dhe nuk guxon të ndodhë që nxënësit nga Kosova të marrin pjesë në programin për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve (PISA) në vitin vijues. Sipas tij, nëse ministria lejon një gjë të tillë, e bën një gabim tepër të rëndë.
“Organizimin e mësimit në distancë, unë e shoh si një gjë të domosdoshme, një reagim reaktiv, sepse po të mos organizohej ky mësim në distancë, pasojat do të ishin shumë të mëdha. Por, kjo duhet parë në sfondin e përgjithshëm, i cili është shumë i papërshtatshëm. Ajo çka ndodh në shoqëri patjetër që reflektohet edhe në institucionet edukative dhe arsimore. Në këtë aspekt nuk ka pasur zgjidhje, por problemet dhe vështirësitë të cilat dalin, dhe pasojat të cilat do të jenë nga ky organizim, nëse Ministria e Arsimit nuk reflekton dhe nuk bën një planifikim imperativ, imperativ do të thotë alternativë, pra nëse nuk kërkon alternativa të shumta për të parë efektet e mësimit në distancë sepse larushia edhe pabarazia në edukim dhe arsim në Kosovë është e jashtëzakonshme. Organizimi i mësimit në distancë ka shkuar njëtrajtshëm në mënyrë lineare”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij procesi i zhvillimit të njësive mësimore nuk ka qenë i njëjtë për shkak të kushteve dhe rrethanave të ndryshme të pabarazisë gjithkund në Kosovë. Ministria e Arsimit ka për detyrim që të punojë në mënyrë shumë intensive që të gjejë format më të përshtatshme të sigurimit të informacionit kthyes se çka ka ndodhur me organizimin e mësimit në distancë.
“Do të thotë ka qenë e domosdoshme, kanë bërë mirë që e kanë bërë, por, tani mbetet puna më e madhe. Mendoj se pasojat do të jenë tepër të mëdha nëse Ministria e Arsimit, natë e ditë nuk punon në kërkimin e alternativave për të konstatuar atë se çka ka qenë mirë, çka nuk ka qenë mirë. Dhe më në fund të mendojë se si ta përfundojë vitin shkollor. Nuk mund të përfundojë viti shkollor pa e siguruar këtë informacion. Një vendim që e kanë marrë shtetet për shembull Anglia, e ka marrë që ai sukses, i cili ka qenë në muajin mars kur është paraqitur koronavirusi, ato nota të vendosen. Kjo në Kosovë nuk mund të ndodhë”, ka shtuar Hyseni.
Ai tutje ka thënë se Kosova në vitin e ardhshëm nuk do të marrë pjesë në programin për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve. “Vitin e ardhshëm, nxënësit e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në programin PISA, se rezultatet kam frikë se do të jenë shumë më të këqija për shkak të gjendjes, e cila ndodhi tani. Kështu që, sugjerimi im është që pjesëmarrja në PISA të shtyhet për vitin 2024 dhe të fitohet në kohë që të bëhen ndryshimet të rëndësishme për nxënësit tanë. Kjo mund të arrihet që të përgatiten më mirë për vitin 2024. Është naivitet dhe kjo nuk guxon të ndodhë që nxënësit tanë në vitin e ardhshëm të marrin pjesë në programin PISA. Nëse ministria e bën këtë punë, e bën një gabim tepër të rëndë sepse do të thotë, po e vazhdon një traditë që nuk shqetësohet shumë për arritjet e nxënësve tanë në arenën ndërkombëtare”, ka nënvizuar Hyseni.























