Viti, liria e shtypit përkujtohet me memorial të jashtëzakonshëm
Veprimtari, ish-ushtari i UÇK-së dhe intelektuali Ismajl Baftijari, publikoi në Ditën e Lirisë së Shtypit fotografitë nga një memorial i jashtëzakonshëm dhe shumë të veçantë, që ka ndërtuar ai së bashku me komunën e Vitisë, në përkujtim dhe nderim të kësaj dite.
"Me rastin e 3 Majit - Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Unë dua ta ndaj me ju një memorial ndoshta të vetmin në Ballkanin perëndimor kushtuar sakrificës sublime të gazetarëve. Ky lapidar i përmban këto simbolika: Globin metalik, një kamerë artistike në brendi të globit, e varur në zinxhir në yllin e Davidit, dhe në themel e ka një libër artistik me thënien e Thomas Jaffersonit për lirin e shtypit ”Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur”, shkroi Baftijari në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka treguar se kjo vepër e tij i kushtohet të gjithë gazetarëve të botës nëpërmes Kerim Lawton, gazetarit të AP-së, i cili humbi jetë në vitin 2001 gjatë konfliktit në Maqedoni. “Këtë vepër e kamë realizuar bashkë me komunën e Vitisë, RC Vitia dhe Shoqatën e gazetarëve ‘Kerim Lawton’”, ka treguar tutje Baftijari.

























