4 vjet nga dita historike!

4 vjet nga dita historike!

Shkruan: Andin LOKAJ

Sot katër vjet më parë futbolli i Kosovës pas shumë rrugëve të gjata tejet të vështira dhe pas shumë e shumë sakrificave e pengesave të armiqve, më në fund arriti aty ku e meritonte. Hyri në familjen evropiane të futbollit duke u bërë me plot meritë anëtarja e 55-të e UEFA-s.

Gjatë këtij rrugëtimi të gjatë udhëtuan me mijëra akterë prej momentit të pavarësimit të futbollit në fillim të viteve 90-të. Një armatë e tërë kishte punuar në ato kushte të vështira duke kontribuar secili për të ardhur te dita vendimtare e 3 majit të vitit 2016.

Por ardhja deri te kjo ditë ishte e mundimshme duke hasur në probleme të mëdha organizative pasi që Federata duhet të nisej në ofenzivë por nuk kishte fonde për të organizuar ngjarje të mëdha shkaku që nuk ishte anëtare e shtëpisë evropiane dhe s’kishte ndihma financiare për të organizuar ndeshjet.

E para ndeshje ishte ajo e vitit 2002 me Shqipërinë por jo e rëndësishme për neve si Kombëtare sa që ishte për patriotizma folklorik.

Shenjat e para se po fillon të ndodhë diçka serioze u shfaqën kur zhvilluam duelin me Arabinë në vitin 2010 dhe fituam 1-0 me golin e Kristian Nushit. Në atë ndeshje për ne ishte paraqitur edhe Besnik Hasi qe ishte më herët kapiten i Shqipërisë dhe këtyre të fundit nuk iu kishte ardhur aq mirë ajo paraqitje e tij.

Dhe pas këtij dueli ofenziva për pranim ishte edhe më energjike.

Pas lejes së dhënë nga Instancat më të larta të futbollit u lejuam të zhvillojnë ndeshjen miqësore me Haitin në Mitrovicë ku Kosova me lojën e treguar dha shenja se mund të bëjë gjëra të mëdha në futbollin evropian në vitet në vijim. Pasuan duelet me Turqinë, Senegalin dhe Omanin të cilat u organizuan nga bashkëpunimi i legjendës Vokrri dhe ekipit të tij, miqësore të cilat paralajmëruan se shumë shpejt do të ndodhë pranimi.

Por, viti i fundit ishte jashtëzakonisht stresues dhe po të mos ishte kontributi i Federatës gjermane kush e di se ku mund të ishim sot.

Gjermania bëri presion të madh te anëtarët tjerë të UEFA-s që Kosova të bëhej anëtare me të drejta të plota në UEFA e pastaj edhe në FIFA.

Përballë kritikave të shumta të Federatës serbe të futbollit që atë kohë i drejtoheshin Gjermanisë për të ndërruar mendje dhe për të mos e lënë Kosovën të jetë pjesë e futbollit evropian, kjo nuk ndodhi. Serbia nuk e kritikonte rastësisht Federatën gjermane, ngase PO-ja e Gjermanisë mbyllte të gjitha dilemat për pranim ngase Gjermania ka respekt të pakufishëm në UEFA.

Dhe merita të mëdha në këtë drejtim kanë vëllezërit Nexhat dhe Zija Shoshi si dhe Fekmi Kongjeli, ekip ky nga Gjermania që loboi për 20 vite pandalur për pranimin e Kombëtares tonë në instancat më të larta të futbollit evropian.

Kjo treshe ishte ajo që ndikoi në organizimin e dy ndeshjeve para pranimit me Eintracht Frankfurt dhe Werder Bremen.

Marrëveshja ishte arritur në takimin e mbajtur në Leuna të Gjermanisë mes tyre dhe përfaqësuesve të DFB-së (Rainer Milkoreit-nënkryetar, Markus Weidner, Wolfgang Grunert dhe Dieter Burdenski.

Këto dy ndeshje ishin përcjellë nga televizioni shtetëror gjerman ARD dhe mediumi i fuqishëm sportiv Sport Schau që përmes një dokumentari televiziv ndikuan në internacionalizimin dhe imazhin e shtetit tonë i cili në atë kohë ballafaqohej me rreth 150 mijë të ikur nga vendi.

Kjo ekip ndikoi që tanimë i ndjeri, ish Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, para mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të takohet me presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit, Wolfgang Niersbach. Takimi u mbajt më 18 mars dhe si temë kryesore ishte harmonizimi i agjendës për takimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të mbahet më 23.03.2015 në Vjenë të Austrisë. Ky ishte momenti i së vërtetës dhe dyert u hapën. Pasoi Budapesti, pranimi dhe dueli i parë zyrtar me Ishujt Faroe me 03.06.2016 të cilin e fituam 2-0. Kjo ishte ndeshja historike ku për shkak të respektit ndaj përkrahjes gjermane ndeshja e parë u zhvillua pikërisht në Gjermani e përcjellë me të gjitha ceremonitë; himnin dhe flamurin e shtetit. Falë përkrahjes gjermane dhe personalitetit të shquar Thomas Bach, shteti jonë u pranua edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Pasuan duelet e grupit për Botërorin 2018 ku dorën në zemër pësuam fiasko.

Më pas pësuam goditjen tjetër të rëndë. Largimin nga jeta të Ikonës tonë Fadil Vokrri. Goditje shumë e rëndë nga e cila nuk ishte aspak e lehtë për Presidentin aktual Agim Ademi, që të riorganizohej. Por ia doli duke menaxhuar shkëlqyeshëm me punën e tij dhe duke shënuar rezultate fantastike në kualifikimet për kampionatin evropian, rezultate të cilat as në ëndërr nuk do t’i paramendonim e lëre më t’i shihnim. Rezultate të cilat na mundësuan që t’i afrohemi ëndrrës dhe personalisht besoj shumë se me këtë bagazh reprezentativ tejet kualitativ do të kualifikohemi në Euro.

Në fund edhe njëherë për ata që nuk e dinë dhe për ata që ndoshta e kanë harruar, sepse ne e kemi zakon të harrojmë shpejt, tre personalitetet vëllezërit Nexhat dhe Zija Shoshi si dhe Fekmi Kongjeli vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme urë-lidhëse e bashkëpunimit ndërmjet Federatës tonë të Futbollit e cila me shumë sukses po drejtohet nga Agim Ademi, dhe asaj gjermane pa të cilën ne nuk do të ishim këtu ku jemi aktualisht. Dhe të jeni të bindur se jemi me fat ngase bashkëpunimi po vazhdon të jetë edhe më intensiv dhe më i fuqishëm se që ishte më parë.