Deputetja e PDK-së kërkon përgjegjësi nga Qeveria për vdekjen e të riut
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka reaguar pas vdekjes tragjike të një të riu nga Gjilani sot në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, duke thënë se institucionet qeveritare duhet të japin llogari lidhur me këtë rast tragjik.
26-vjeçari nga Gjilani kishte ardhur dje nga Gjermania dhe është vendosur në karantinë 14 ditore, por sot ka kërcyer nga kati i pestë në rrethana ende të panjohura.
Dëshmitarët kanë deklaruar se 26-vjeçari kishte probleme shëndetësore dhe kishte kërkuar të hyjë në vetizolim, por që kërkesa e tij ishte refuzuar.
E deputetja e PDK-së thotë se Qeveria Kurti është dashur të tregojë më shumë kujdes për personat në karantinë dhe të angazhojë psikolog për të monitoruar gjendjen e tyre mendore, si pasojë e izolimit të gjatë.
“Mungesa dhe injorimi i këtij kujdesi primar në rrethana të tilla të izolimit total, dyshohet se sot i kushtoi një të riu nga Gjilani, i cili i mori vetes jetën duke u hedhur nga kati i pestë. Ky rast duhet të hetohet dhe trajtohet si ‘vrasje nga pakujdesia’ dhe përgjegjësit, në këtë rast institucionet qeveritare, duhet të japin llogari para ligjit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Deputetja Deliu-Kodra shpreh ngushëllimet e saj familjes së të ndjerit, ndërsa përkujton se ‘në rastet me anëtarët, simpatizantët apo të afërmit e tyre, partia në pushtet nuk ka përfillur të njëjtat masa të rigorizitetit’ dhe se ‘ka shumë raste të dëshmuara se ata janë liruar nga konviktet për t’u vetizoluar në shtëpitë e veta.























