Kaq e vështirë është të thuash ‘më fal?`
Kur veprimet ose neglizhencat i bëjnë dëm dikujt, i rëndojnë gjendjen emocionale apo u prishin punë, shumica prej nesh kërkojnë falje. Është mënyra më e mirë për të riparuar marrëdhënien pas një situate të vështirë dhe për të lehtësuar ndjenjën e fajit që ndjejmë. Sidoqoftë, në të njëjtat situata, disa njerëz bëjnë çmos që të mos kërkojnë falje. Por pse?
Te këta njerëz, faljet mbartin peshë më të madhe se zakonisht pasi zgjojnë frikëra të vjetra që duan t’i shmangin medoemos.
1. Ata që nuk kërkojnë kurrë falje kanë vështirësi në veçimin e veprimeve nga personaliteti. Nëse kanë bërë diçka të keqe, atëherë janë njerëz të këqinj; nëse kanë neglizhuar dikë, janë egoistë dhe të pakujdesshëm; nëse ishin gabim, janë injorantë. Duke mos kërkuar falje, i shmangin këto etiketime dhe nuk reflektojnë me problemin real që është identiteti dhe vetëvlerësimi i lëkundur.
2. Ata që nuk kërkojnë falje nuk ndihen në faj, por të turpëruar. Faji na bën të ndihemi keq për mënyrën si u sollëm, turpi na bën të ndihemi keq për mënyrën si jemi. Prandaj turpi është emocion më toksik se faji.
3. Ata që nuk kërkojnë falje mendojnë se një “më fal” do t’u hapë rrugë akuzave dhe konflikteve të tjera. Besojnë se nëse pranojnë fajin për diçka, do t’u përplasen në fytyrë gjithë gabimet e të kaluarës për të cilat nuk kanë shfaqur pendesë.
4. Ata që nuk kërkojnë falje tremben se duke thënë “më fal” marrin mbi vete gjithë përgjegjësinë dhe lehtësojnë palën tjetër nga faji. Edhe pse dihet se në çfarëdolloj konflikti, nuk ka kurrë vetëm një palë fajtore.
5. Disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje sepse kështu dinë t’i menaxhojnë emocionet që ndjejnë. Ndihen mirë me inatin, irritimin dhe distancimin emocional, por jo me intimitetin dhe cënueshmërinë. Mendojnë se nëse zbuten sadopak, nuk do të kenë më asnjë mënyrë për të mbrojtur veten nga lëndimi dhe si pasojë do të mbyten nga trishtimi dhe dëshpërimi.























