Uka: Gjykata nuk i konsideroi anti-kushtetuese masat e propozuara nga MSH
Deputeti i Vetëvendosjes Fitim Uka ka thënë se në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi është diskutuar për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me masat e ndërmarra për menaxhimin e situatës me pandeminë.
Ai është shprehur i bindur se krejt masat e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia janë në përputhje të plotë me Kushtetutën.
“Një nga pikat kryesore ka qenë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që sipas kryetares së këtij komisioni Albena Reshitaj dhe thirrjes që është bërë është anti-kushtetues dhe aty flitet për masat që janë ndërmarrë si anti-kushtetuese. Kemi për obligim të sqarojmë për opinionin publik që realisht asnjë nga masat e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk konsiderohen si anti-kushtetuese nga ky vendim i gjykatës, qoftë masa për ndalim të qarkullimit jashtë orarit të lejuar 90 minutësh, ndalimi i qarkullimit përveç për nevoja dhe punë esenciale, ndalimi i hyrje-daljeve nga komunat e caktuara, ndalimi i qarkullimit me automjete dhe të tjera”.
“Të gjitha këto masa dhe kufizime janë kushtetuese dhe janë në përputhje të plotë edhe me të drejtat e njeriut, kështu të paktën konstaton Gjykata Kushtetuese. E pamë sot se për disa nga anëtarët e Komisionit për Shëndetësi akoma ka një referim të gabuar në raport me atë se çfarë thotë gjykata”.
Gashi ka thënë se janë dy gabime që i ka konstatuar Gjykata Kushtetuese të cilat, sipas tij, nuk kanë të bëjnë asgjë me përmbajtjen sa kanë të bëjnë me aspekte teknike dhe gjuhësore, njofton Klan Kosova.
“Gjykata Kushtetuese flet për togfjalëshin “zonë karantinë” që nuk ekziston në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, por karantinimi është ndalim i hyrjeve-daljeve – dhe vet Gjykata thotë se është në përputhje me gjykatën”.
“Gjykata ka deklaruar që Ministria e Shëndetësisë ka tejkaluar autorizimet ligjore për gjobat, por sërish ekziston neni 53 i Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse që përcakton në mënyrë specifike secilën prej këtyre masave dhe gjobave”.
“Ndjej keqardhje që edhe sot ne thirremi dhe diskutojmë për masat nëse janë anti-kushtetuese ose jo, derisa mungon infrastruktura ligjore për luftimin e pandemisë. Në vend se të flasim për këtë, mbledhjet e komisionit përherë devijojnë në debate politike”.























