Rizzoli përkrah ndryshimet e rregullave në futboll si pasojë e pandemisë
Deleguesi i gjyqtarëve italianë, Nicola Rizzoli është i mendimit që futbolli duhet të ndryshojë disa rregulla duke u përshtatur me pandeminë e Koronavirusit.
Sot do të zhvillohet një takim ku do të diskutohet nëse Serie A duhet të vazhdojë, ndërsa do të caktohen edhe rregulla të reja duke lejuar 5 zëvendësime.
“Duhet të sillemi ndryshe, përfshirë këtu edhe te distanca sociale, për të shmangur rrezikun”, ka thënë Rizzoli për Sky Sport Italia.
“Gjithashtu kemi kërkuar një hap përpara kulturor, që shpresoj se do të jetë pozitiv për secilin. Jemi duke punuar me UEFA-n dhe ligat e tjera të mëdha për të vendosur një kod të sjelljes”.
“Ne jemi duke punuar për të ulur rrezikun në minimum, pasi zakonisht janë 4 gjyqtarë për VAR-in, e që mund të reduktohet në tre, me secilin prej tyre duke bartur maska dhe dorëza mbrojtëse”.
“Besoj se FIFA është duke synuar që të lejojë 5 zëvendësime. Në një fazë të sezonit me shumë ndeshje njëra pas tjetrës dhe me temperatura të larta, ne duhet të ndërmarrim një hap para që të ndihmojmë secilin”, ka përfunduar Rizzoli.























